Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për “Nedelnjik” është pyetur nëse ai sheh zgjidhje për krizën në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se beson që është e nevojshme të ketë një mirëkuptim që të gjithë popujt e Ballkanit do të jetojnë me njëri-tjetrin për një kohë shumë të gjatë.
Hill thotë se kur jeton me dikë për një kohë të gjatë atëherë duhet të ndërmarrësh veprime që e ulin tensionin dhe lejojnë njerëzit që të bëjnë jetën e tyre.
Diplomati amerikan me përvojë të gjatë në rajon thotë se është i shqetësuar me tensione, meqë shumë njerëz nuk e kuptojnë se sa e nevojshme është që të ketë qetësi. Hill thotë se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shumë histori dhe është e rëndësishme që ajo të respektohet por jo që dikush të mbetet peng i saj.
“Unë besoj se ne kemi nevojë për një mirëkuptim që të gjithë popujt e Ballkanit dhe Evropës do të jetojnë me njëri-tjetrin për një kohë shumë të gjatë. Dhe kur jetoni me dikë, duhet të bëni marrëveshje që ulin tensionet dhe lejojnë njerëzit të vazhdojnë me jetët e tyre. Unë shqetësohem se për shkak të këtyre tensioneve, shumë njerëz nuk e kuptojnë se është e nevojshme të qetësohen. Ka shumë histori në këtë rajon. Është e rëndësishme ta respektosh atë, por nuk duhet të jesh i burgosuri i saj.” ka deklaruar Hill.