Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alvdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me menaxhimin e parasë publike.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka krahasuar menaxhimin e parasë publike sot, me kohën e socializmit, duke thënë se në atë sistem Qeveria ta thyente këmbën e pastaj të jepte një shkop për t’u mbajtur.
Ish-kryeministri i vendit ka treguar edhe dy arsye kryesore pse një gjë e tillë përshkruan kështu punën e Qeverisë.
Statusi i plotë:
Menaxhimi i parasë publike nga Qeveria Kurti është sikur në kohën e socializmit.
Në atë sistem, “qeveria ta thyente këmbën, e mandej ta jepte një shkop për tu mbajtur”. Kjo e përshkruan në mënyrën më të saktë punën e kësaj qeverie.
Ja pse:
- Për bizneset: I bllokoi projektet kapitale, si rezultat ekonomisë i mungojnë 500 mil euro, e mandej i ndihmoi bizneset me ligjin për indeksim të kontratave për investime kapitale. Rriti faturat e energjisë për bizneseve, e mandej i subvencionoi bizneset për energji.
- Për qytetarët: E shtrenjtoi dy herë energjinë, e në anën tjetër i subvencionoi për shpenzimet e energjisë. E dyfishoi tatimin në pronë, e mandej ua fali 100 euro.
Kjo qasje e shpenzimeve publike është socialiste, sepse njerëzit po varfërohen dhe po bëhen të varur nga shteti. Socializëm është kur 41% e buxhetit shpenzohet në subvencione dhe transfere, e vetëm 15% në investime.