Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka quajtur demagogë liderët aktualë të vendit dhe ka thënë për ta se kanë hequr dorë nga dialogu për njohje reciproke me Serbinë.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka theksuar se ekzekutivi dialogun e zhvillon skutave, hoteleve të plazheve e në darka private.
” Këta demagogë heqin dorë nga dialogu për njohje reciproke, që kishte nisur në qeverinë paraprake në koordinim me aleatët, e që zhvillohej në Bruksel e Uashington. Dialogun e zhvillojnë skutave, hoteleve të plazheve e në darka private”.
“Arrijnë marrëveshje të përkohshme në villën e Titos në Ohër, ku marrin obligime për autonomi për serbët dhe zbatim të asociacionit, të cilin e kishin kundërshtuar dhunshëm, në këmbim të disa obligimeve gjysmake, abstrakte e të paverifikueshme që pala serbe duhet të përmbushë”.
“E tash ankohen e “kërcënojnë” aleatët pse ata po i kushtëzojnë proceset euro-integruese të Kosovës me respektim të kësaj marrëveshje. Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti, se zot shtëpie nuk ka momentalisht!”, ka thënë Hoti.
Ky reagim i tij vjen pas deklaratës së sotme të dhënë të presidentes Vjosa Osmani:
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë”.
Kjo është përgjigjia të cilën, Osmani pati, kur u pyet për qëndrimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, për mundësinë e pezullimit të vendimit për liberalizim.