Nagavci: Mbi 90 mijë aplikime për libra, po shqyrtohen ankesat

Nagavci: Mbi 90 mijë aplikime për libra, po shqyrtohen ankesat

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i është drejtuar prindërve me anë të një postimi në Facebook, duke thënë se me vëmendje janë duke e përcjellë situatën dhe shqetësimet rreth aplikimit në platformën e-kosova për subvencionimin e teksteve shkollore.

Ajo bëri të ditur se deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër.

“Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”.

Ndërkaq sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, ministrja thekson se pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve dhe se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.

“Kemi kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave tona, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale”.

“Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit, andaj lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit. Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten”, shkroi Nagavci.

Ministrja e arsimit tutje bëri të ditur se çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI-t si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohet tek autoritetet kompetente.

Related Articles