Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Amerika e di saktësisht se ku është kufiri i Kosovës, “në veri të lumit Ibër”.
“Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri – është në veri të lumit Ibër”, tha ambasadori në një intervistë në Rubikon të Klan Kosova.
Tutje Hovenier tha se qeveria amerikane shqetësohet kur Qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmarrë veprime të njëanshme “në disa mënyra për vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet”.
“Kështu, qeveria amerikane ka dhënë disa deklarata se ne jemi të shqetësuar kur qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmerr veprime të njëanshme në disa mënyra për të vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet, por megjithatë, në mënyra që besojmë do të duhej të bëheshin përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, përmes konsultimeve me komunitetet e prekura”.
Ai gjithashtu ka folur për sulmin terrorist në Banjskë dhe kryekriminelin Millan Radoiçiq.
Hovenier tha se Qeveria e ShBA-së pret që ata që e kryen këtë akt kriminal të mbajnë përgjegjësi, teksa përmendi faktin që Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
“Nga këndvështrimi ynë, ai është padyshim tashmë i sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional. Por, ky është indikator i mëtejshëm i kriminalitetit të tij dhe ne presim që ai të mbajë përgjegjësi”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan u tregua preciz në titullin që qeveria amerikane e ka për Radoiçiqin – kriminel, për të cilin tha se duhet të përjetojë drejtësinë për sulmin në Banjskë.
“Ne e konsiderojmë atë si kriminel dhe besojmë se ai duhet të vuajë – të përjetojë – jo të vuajë – të përjetojë drejtësinë dhe të mbahet përgjegjës për krimin më të fundit që e kreu, që është roli që luajti në sulmin në Banjskë”.
“Por unë gjithashtu do të thosha se ai nuk është i vetmi. Dua të them, se qartazi ka njerëz të tjerë, përveç Radoiçiqit të përfshirë në sulmin në Banjskë dhe ata të gjithë duhet të japin llogari. Dhe presim që autoritetet në Serbi të përdorin sistemin e tyre të zbatimit të ligjit dhe sistemin e sundimit të ligjit për t’i mbajtur ata përgjegjës”, tha ai.