Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha të shtunën se një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, javën e kaluar në veri të vendit, gjatë të cilit u vra një zyrtar policor.
I pyetur nga BBC të shtunën nëse Serbia qëndron pas sulmit, Hovenier tha se sasia dhe cilësia e armëve të gjetura në Banjskë të Zveçanit tregon se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.
“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm”, tha Hovenier duke iu referuar Millan Radoiçiqit, nënkryetarit të deritanishëm të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Më 2 shkurt të këtij viti, Radoiçiqi mori pjesë në një seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë. I ftuar aty ishte edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Të premten, Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, dhe dha dorëheqje nga posti i tij në parti.
“Pra, ne ende po punojmë për ta gjetur se kush ishte saktësisht përgjegjës. Por, tani dimë më shumë rreth kësaj dhe jemi të shqetësuar për atë që ndodhi”, shtoi Hovenier, përcjellë REL.
Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rruge pranë një ure në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.