Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë që ata po bisedojnë me serbët lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet potenciale në komunat veriore.
“Është pyetje e vështirë. Krejt çka mund t’ju them është se e shohim këtë si mënyrë për të ecur përpara dhe ashtu siç po bisedojmë këtu për gjërat që Kosova duhet t’i bëjë, po bisedojmë edhe me serbët e Kosovës dhe me Beogradin se çka duhet të ndodhë në atë anë. Edhe ato biseda janë mjaft të drejtpërdrejta dhe mjaft të mira”, ka thënë Hovenieri në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai po ashtu e adresoi edhe çështjen e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia dhe lirimin eventual të tyre.
“Mendoj se Shtetet e Bashkuara ishin vendi i parë që doli me deklaratë publike për këtë situatë dhe e bëmë të qartë se besonim që arrestimi dhe akuzat ndaj tyre po përkeqësonin një situatë tashmë të tendosur dhe që ata të tre duhej të liroheshin menjëherë dhe pa kushte”.
“Kjo ishte porosia e duhur dhe na vjen mirë që lirimi i tyre më në fund ndodhi dhe ata tani janë në shtëpi me familjet e tyre”.
“Do të them se duhet të fillojmë të shohim përpara. Duhet të fillojmë të shohim se si të dalim nga kjo gjendje ‘një për një’ apo ky përshkallëzim i tensionit në veri dhe të arrijmë në një pikë ku përqendrimi ynë të jetë në zbatimin e plotë nga të dyja palët të marrëveshjes për normalizim”, deklaroi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.