Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të vendosë kuadrin ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Po ashtu, Hovenier ka nënvizuar edhe kërkesat që u janë dhënë udhëheqësve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri, gjatë qëndrimit të tyre në Uashington javën e kaluar.
Krahas këtyre, Hovenier ripërsëriti kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Jam i sigurt se liderët e Listës Serbe kanë dëgjuar, sepse kam pasur biseda me Escobarin, pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen, kjo është pjesë e përgjegjësive të partive demokratike në demokraci, ju merrni pjesë në procesin demokratik gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë. Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe kjo ishte pjesë e asaj që u diskutua edhe në Uashington, të vendoset kuadri ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe kjo sigurisht ishte pjesë e bisedës që ndodhi gjithashtu”, tha ai.
Ai kërkoi nga Lista Serbe që të luajë rolin e saj si në parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur, pasi nuk e konsiderojnë atë si parti politike serbe, por si parti e serbëve etnikë në Kosovë.
“Ne e konsiderojmë Kosovën shtet sovran, të pavarur dhe demokratik. Dhe kështu, puna që bëjmë me Listën Serbe, një parti që është parti politike e Kosovës, parti opozitare në Kosovë, është e ngjashme me punën që bëjmë me partitë e tjera opozitare në Kosovë, por nuk duhet të bëhet fjalë për pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, ne hedhim poshtë çdo sugjerim se Kosova është disi diçka tjetër përveç shtetit të pavarur, dhe kjo përfshin veriun e Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës, apo jo? Dhe kështu, ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë pikë”, tha ai.