Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në konferencën e përbashkët me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme në Kosovë, Glauk Konjufca, ka folur për atë se – çka u diskutua e dakordua në takimin që e zhvilluan paraprakisht.
Hoxha deklaroi para mediave se diskutuan për mënyrën se si të rritet bashkëpunimi në ministritë e jashtme mes dy vendeve, ndërsa foli edhe për kërcënimin e sigurisë së Kosovës nga Serbia duke kërkuar të ketë llogaridhënie të plotë për sulmin në Banjska dhe në kanalin Ibër-Lepenc.
Ai shprehi mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj Kosovës ndërsa citoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama se “kush prekë Kosovën, prekë Shqipërinë.
“Pa një Kosovë të sigurt nuk mund të ketë as rajon e as Evropë të sigurt. Shqipëria nuk do të pranojë e as tolerojë cenimin e qytetarëve të Kosovës dhe do të jetë përherë krah Kosovës. Sulmi në Banjska dhe kanalin Ibër-Lepenc nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë. Kam ardhur këtu për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama: kush prekë Kosovën, prekë Shqipërinë. Kosova është një realitet i pakthyeshëm politik. Kushdo që mendon ndryshe, sheh ëndrra me sy hapur”, ka thënë Hoxha.
Ministri Hoxha ka deklaruar tutje se Kosova është prioritet i Shqipërisë dhe se çdo dhimbje e saj ndjehet edhe në Shqipëri si dhe çdo sukses festohet po ashtu.
“Ne në Shqipëri nuk do të mund ta themi kurrë mjaftueshëm që Kosova është prioritet absolut i ynë i politikës së jashtme. Është një dimension i qartë, i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i Qeverisë shqiptare. Ajo që ndodhë në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejt për Shqipërinë, një lidhje të ndërsjellë e të pandashme sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe i Shqipërisë ecin krahë për krahë. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet në Shqipëri”, ka thënë Hoxha.
