Për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, vendimi i Degës së Drenasit për ta kandiduar Driton Ajazin për kryetar të Komunës është i pavlefshëm.
Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se në zgjedhjet lokale të vjeshtës do të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo.
“Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryesia qendrore, ka qenë më se e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo”, thuhet në njoftim, përcjell Gazeta Enigma.
Më tej thuhet se PDK e ka rikandiduar Agim Aliun në Ferizaj, Naim Ismajlin në Shtime dhe njëjtë pritet të bëjë edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe Besim Ilazin në Kaçanik.
“Javën e kaluar, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të Degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, se kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur”, thuhet në komunikatë.
“PDK vlerëson punën e secilës Degë në të gjitha komunat e vendit, iniciativat dhe përkushtimin rreth mobilizimit të strukturave të saj për të përgatitur ofertat më të mira për qytetarët e Kosovës, por, sa i përket komunave ku PDK udhëheqë, Kryesia Qendrore tashmë ka thënë fjalën e saj përfundimtare”, përfundon komunikata e PDK-së.
Ndryshe, strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, kanë vendosur që Driton Ajazi të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ajazi përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “sapo mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vit”.
Ajazi pasi ishte nominuar sot nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas për të parin e kësaj komune, ka thënë se kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ishte vetëshpallur publikisht më herët si kandidat në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti./Gazeta Enigma/