Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka pritur në takim ish-kryenegociatorin për dialogun Kosovë – Serbi, Jeff Hovenier.
Gjatë këtij takimi, Hyseni tha se dialogut i duhet të përshpejtohet, derisa theksoi se kishte pajtim të plotë me ambasadorin amerikan se status quo-ja nuk i konvenon Kosovës dhe është armiku më i madh i saj.
“Bëmë një bisedë shumë të hapur dhe përmbajtjesore për aktualitetin në rajon, me theks të veçantë për zhvillimet në Kosovë dhe domosdonë e dialogut të përshpejtuar me Serbinë”.
“Theksova se status quo-ja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër! Me ambasadorin Hovenier kishim pajtim të plotë se status-quoja është kundër interesave afatgjata të Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar Hyseni.
Ai tha se dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është prioritet mbi të gjitha prioritet dhe urgjencë për Kosovën.
“Çdo zvarritje e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, si dhe ruajtja e status quo-së është në interes të Rusisë, ishte pika për të cilën kishim pajtim të plotë me ambasadorin Hovenier”.
Për dëmin që i sjell Kosovës status quo-ja kishin folur edhe amerikanët që së fundi vizituan Kosovën.
Ndihmëssekretarja e Shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Azi, Karen Donfried dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e sollën këtë mesazh te krerët kosovarë.