Hyseni paralajmëron kandidat tjetër për Gjilanin pas katër vjetësh

Hyseni paralajmëron kandidat tjetër për Gjilanin pas katër vjetësh

Kryetari i sapozgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni, ka lënë të hapur mundësinë që Vetëvendosje të kandidojë me dikë tjetër pas katër vjetësh në këtë komunë. Ai ka lënë të hapur opsionin që karrierën ta vazhdojë jashtë politikës, posa t’i përfundojë mandati që sot e ka nisur.

“Në Gjilan kemi bërë punë e kemi krijuar atmosferë të tillë që fitorja jonë është përtej 4 vjetëve. Besoj që vetëm ndonjë gabim i madh mund të na shkaktojë humbje në raundin e dytë. Dinamika e punës që kemi planifikuar do të na nxjerrë kryetar edhe pas katër vitesh”, ka thënë ai fillimisht, ndërsa kur është pyetur për të ardhmen e tij politike ka shtuar se “mbetet të shihet”.

“Do të ishte ideale nëse mund të qeverisim mirë për katër vite e të hapim rrugë për kandidat të ri…”, ka shtuar ai, duke theksuar se fokusi duhet të jetë në politikanë të rinj.

“Të them të drejtën, në rrafshin personal, synim i imi i kamotshëm është të regjistroj studimet e doktoratës e t’i përfundoj. Me dëshirën më të madhe veten time do ta shihja në botën akademike për të vazhduar aty ku kam qenë. Por angazhimi politik e publik është përgjegjësi e secilit dhe kudo që e kërkon nevoja e ku konsiderohet se mund të jap kontribut jam i gatshëm të punoj. Por këtë s’mund ta përcaktoj vetëm unë”, ka përfunduar Hyseni në emisionin Desku në KTV.

VV-ja në Gjilan e hapur për të gjitha partitë, pos Listës Serbe

Alban Hyseni, kryetar i ri i Gjilanit, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë është e hapur për bashkëpunim me cilëndo parti, pos Listës Serbe, për të krijuar shumicën në Kuvendin Komunal.

Sipas tij, më me rëndësi është pajtimi në tri çështje për bashkëpunim sesa cila parti do të futet në koalicion me Vetëvendosjen. Hyseni ka thënë se janë tre hapa që duhet ndjekur për t’u arritur marrëveshja për koalicion në këtë komunë. Pikë të parë e ka përmendur një draft-marrëveshje me 5-6 pika parimi, dhe se kjo marrëveshje do të jetë e hapur të nënshkruhet nga cilado parti që pajtohet për bashkëqeverisje. Këtu ka shtuar edhe pikën që të lejohet shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve që përballen me aktakuza për punën zyrtare. Hap të dytë e ka përmendur diskutimin për programin, e të fundit atë të ndarjes së drejtorive.

Edhe pse s’ka përjashtuar koalicione me LDK-në e PDK-në, Hyseni ka thënë se vendimi final merret nga qendra e partisë. Sipas tij, një koalicion i mundshëm me PDK-në s’do të thoshte ndryshim qëndrimi i qendrës për koalicione në nivele të përgjithshme. Sipas tij, ka dallime në qeverisje të nivelit lokal dhe atij qendror.

Në Asamblenë e Gjilanit, LDK-ja ka marrë 14 ulëse si partia e parë në Kuvend Komunal. Vetëvendosja ka 10, PDK-ja 5 e AAK-ja 2. Nga një ulëse kanë fituar katër parti tjera.

Hyseni, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje i mungon krijimi i figurave të nivelit lokal.

“Ajo çka besoj e dallon VV-në nga subjektet tjera politike, është krijimi i figurave të nivelit lokal. Lëvizja Vetëvendosje është identifikuar si organizatë që merret me çështje të nivelit nacional, kombëtar e shtetëror, mirëpo nuk kemi qenë asnjëherë një organizatë që trajton në vazhdimësi e që krijon figura të cilat merren vetëm me nivelin lokal”, ka thënë Hyseni në “DESKU” të KTV-së.

Ai po ashtu ka folur edhe për humbjen e VV-së në Prishtinë, duke thënë se qytetarët e kryeqytetit e kanë humbur mundësinë për tu qeverisur nga një kryetar i jashtëzakonshëm.

“Një kryetar i përgjegjshëm si Vitia do të mund të qeveriste shumë mirë me kryeqytetin, humbja është edhe për LVV-në por është më e madhe për kryeqytetin”, ka thënë Hyseni.

Hyseni s’ka pritur që Haziri t’ia dorëzojë detyrën me ceremoni

Alban Hyseni, kryetar i ri i Komunës së Gjilanit, ka thënë se nuk ka pritur që të enjten të marrë postin me ceremoni nga ish-kryetari i deritashëm, Lutfi Haziri.

Në emisionin Desku në KTV, Hyseni ka thënë se kështu kishte menduar për shkak të gjuhës së Hazirit në fund të fushatës.

“Të them të drejtën s’e kam pritur, edhe pse s’është që se kam çmuar e vlerësuar Hazirin për politikan që mund të tejkalojë edhe veten e të jetë më fleksibil se politikanët tjerë. Gjuha më e ashpërsuar kah fundi i fushatës në balotazh më bëri të mendoj se s’do të ma dorëzojë detyrën”, ka thënë ai teksa ka njoftuar se ka pasur edhe një takim krejt jashtë kamerave vetëm me Hazirin.

“Ka qenë takim i shkurtër pesë minuta. I kërkova të jemi të bashkuar si qytetarë në projekte të Gjilanit të shtyhen bashkë”, ka vazhduar Hyseni duke e vlerësuar si të mirë takimin me ish-kreun e Gjilanit.

Ai ka thënë më tej se zyrat i janë dukur të mira, por ka shtuar se “problemet janë të shumta në Gjilan”.

Si problem të parë ka përmendur çështjen e arsimit dhe paditë e shumta ndaj Komunës për paga jubilare.

Alban Hyseni i Vetëvendosjes arriti që pas balotazhit ta rrëzojë nga pushteti Lutfi Hazirin e LDK-së./Gazeta Enigma/

Related Articles