E premtja e 14 prillit shënoi krimin më çnjerëzor të ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Shtëpia e familjes Hyseni në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë, u shndërrua dje në skenë krimi. Kjo pasi që djali i familjes, Urimi, dyshohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij, Hyrijen.
I dyshuari ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi ndaj tij Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Gjykata Themelore në Pejë aprovoi kërkesën e Prokurorisë për ta dërguar në 30 ditë paraburgim të dyshuarin për vrasjen e rëndë. I dyshuari është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nga ajo në Pejë që ishte në fillim.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar avokati i të dyshuarit, Asdren Mekaj.
Transferimi sipas Mekajt ka ndodhur për shkak se Qendra e Paraburgimit në Prizren ofron shërbime më të mira shëndetësore.
“Për shkak se Qendra e Paraburgimit ofron shërbime më të mira shëndetësore, kam bërë kërkesë për transferimin e klientit tim”, u shpreh ai.
Po ashtu, avokati shtoi se nuk e di si është gjendja fizike e as mentale e Urim Hysenit pasi thotë se nuk ka mundur ta takojë.
Mekaj shtoi gjatë të martës do ta vizitojë Hysenin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.