Enver Sekiraqa është dënuar me 25 vite burg.
Babai i Trium Rizës, Shefqet Riza shprehet i zhgënjyer me drejtësinë.
Nacionale më poshtë sjell deklaratën e plotë të Shefqet Rizës pas seancës ku Sekiraqa mori dënimin me 25 vite burg për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza.
“S’po di cka me thanë, kurrfarë vendimi nuk është. Është një gjykim që po zgjatë ma së shumti në historinë e gjykatave të Kosovës.
Për 17 vjet dhe nuk po e kuptoj qysh është e mundur në shoqërinë tonë, ma të vlefshëm me qenë kriminelët sesa një polic që është në mbrojtje të rendit dhe ligjit dhe një polic që është i shpallun hero pikërisht për luftën kundër bandave dhe kriminelëve.
Natyrisht se po, natyrisht se është dënim i ulët, se ky është vrasës kryesor, ky i ka nxitë.
I thash, Hitleri nuk ka vra kërkand, por i ka nxitë të tjerët me bo krime kundër njerëzimit. Ky është fajtori kryesor është dashtë ta marrë qëndrimin e merituar, por cka t’i bëjsh, qito gjykata i kemi, nuk kemi të tjera.
Për këtë shtet kemi luftu, vazhdimisht i kam pranu gjykatat tona, kurse krimineli nuk i ka pranu këto gjykata.
Tash, për së treti herë, po vjen tuj u..tuj u zvogëlu e tuj u zvogëlu.
Nuk kam mo besim hiç se Gjykata e Apelit i ka kriju problemet tuj i kthy krejt për cështje gjoja procedural, gjoja për mos administrimin e mirë të provave, janë lojëra këto”, thotë Shefqet Riza.
Çka ndodhi sot?
Vendimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Sekiraqës iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak, dhe u kthye në burg.
Sekiraqa u dënua për nxitje në vrasje të ish-policit, Triumf Riza.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg,
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Në seancën e fundit, Prokuroria kërkoi dënimin e Sekiraqës kurse avokatja lirimin.
Prokurori Çerkini, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se gjatë administrimit të provave është vërtetuar se Sekiraqa ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke shtuar ndër të tjera që i akuzuari ishte udhëheqës i grupit që urdhëroi vrasjen e Rizës.
“Enver Sekirqa ishte udhëheqës i grupit që kishte urdhëruar vrasjen e të ndjerit Triumf Riza”, tha prokurori Çerkini.
Kurse, avokatja Kelmendi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare kërkoi drejtësi nga trupi gjykues, duke kërkuar aktgjykim lirues në këtë çështje dhe refuzim të aktakuzës.
Sipas Kelmendit, nuk ka asnjë provë që i akuzuari Sekiraqa ka nxitur vrasjen e tani të ndjerit Riza.
“Nuk ka asnjë provë të vetme që Enver Sekiraqa ka nxitur vrasjen e të ndjerit Triumf Riza”, tha avokatja Kelmendi.