Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin e radhës mbi integritetin e kandidatëve për deputetë në prag të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke përmendur se një numër kandidatësh me aktakuza aktive apo dënime penale të formës së prerë janë përfshirë në listat zgjedhore.
Sipas të dhënave të IKD-së, nga gjithsej 1 mijë e 179 kandidatë për deputetë të certifikuar nga 24 subjekte politike, 28 kandidatë apo 2.37% janë persona të përfshirë në raste penale.
Prej tyre, 19 kandidatë kanë aktakuza aktive, ndërsa 12 kandidatë janë dënuar në të kaluarën me vendim të formës së prerë.
Për tre kandidatë, IKD ka gjetur se krahas dënimeve të formës së prerë, kanë edhe aktakuza aktive.
IKD thekson se në disa raste mund të ketë rehabilitim ligjor, por se subjektet politike nuk kanë ofruar informacione në këtë drejtim.
Raporti evidenton se numri më i lartë i kandidatëve të përfshirë në raste penale vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje, rezulton se 11.81% e listës së kandidatëve të LVV për deputetë përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë (6) kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre (3) kandidatë (2.72%), PDK me dy (2) kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy (2) kandidatë (6.06%), KDTP me një (1) kandidat (6.25%) dhe LDK me një (1) kandidat (0.9%)“, shkruan IKD.
Sa i përket natyrës së veprave penale, IKD bën të ditur se dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar, veprat penale kundër detyrës zyrtare, si dhe vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
IKD rikujton se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, duke kërkuar që personat e përfshirë në raste penale, edhe në mungesë të ndalesave specifike ligjore, të mos jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve publike.
Sipas IKD-së, kjo qasje nuk cenon parimin e prezumimit të pafajësisë, por synon të dërgojë një mesazh pozitiv për rëndësinë e integritetit personal dhe institucional.
“Nëse i referohemi gjetjeve të monitorimit dhe hulumtimit të IKD në lidhje me kandidatët të cilët janë përfshirë në raste penale, rezulton se krahasimisht me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është pësuar regres në të gjitha pikat e vlerësimit. Regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve për deputetë të cilët përfshihen në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale“, shkruan IKD.
