Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin për Kuvendin e Kosovës për sesionin pranveror.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se sikurse, në vitet paraprake, edhe në sesionin pranveror të këtij vitit, puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit, nga vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrjet e kundërligjshme, nga cenimi i vazhdueshëm i institucioneve të pavarura me rastin e raportimit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike nga ana e deputetëve të Kuvendit dhe nga kabineti qeveritar, nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së kuvendit, nga mungesa e dobët e mbikëqyrjes parlamentare, nga injorimi i qeverisë përballë deputetëve dhe nga gjuha joparlamentare, seksiste, raciste, mizogjene dhe homofobe.
“Në mungesë të një planifikimi adekuat, nga sesioni pranveror kanë mbetur pa u trajtuar 30 pika të rendit të ditës të cilat ishin në shqyrtim e sipër, ku në mesin e këtyre pikave ishin edhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimit të negociuara pa publikim të njoftimit për kontrat, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje, zgjedhja e mandatit të një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar dhe emërimi i shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, thuhet në njoftim.
Sipas IKD-së kanë mbetur pa u miratuar 12 projektligje, ku bën pjesë edhe Projektkodi Civil që pas Kushtetutës është ligji ma i rëndësishëm i një vendi. Ndërsa pa u votuar kanë mbetur edhe disa raporteve të institucioneve të pavarura, raporte me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe raporti për performancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2022.
Sa i përket transparencës, edhe në sesionin pranveror Kuvendi ka dështuar të rregullojë çështjen e votimit elektronik në seancë plenare, të transmetojë në kohë reale mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të publikojë dokumentet e mbledhjeve të Komisioneve Hetimore Parlamentare. Për më tepër, edhe pse është obligim nga Rregullorja e Punës, Kuvendi nuk është duke i publikuar votimet për vendimet e veta, kur votimet bëhen me ngritje të dorës.