IKShPK: Gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, intensitet i shtuar i rasteve me këtë grip

IKShPK: Gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, intensitet i shtuar i rasteve me këtë grip

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes nga gripi sezonal i cili po shton intensitetin e rasteve me këtë grip, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

“Edhe pse gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, vërehet një intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal”.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse tetor-maj” thuhet në njoftimin e tyre.

Njëherit, nga ky institut ka bërë të ditur se “Prej 01 tetor 2021 deri më tani në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9.788 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip, 2.033 raste Infeksione respiratore akute dhe 57 raste me Infeksion të rëndë respirator akut”.

Ndërsa ata kanë theksuar se “në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit është identifkuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponenten e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

Tutje nga ky institut kanë njoftuar se “Gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale janë hospitalizuar 6 raste me infeksione akute respiratore”.

“Instituti Kombëtar apelon te të gjithë Drejtorët Komunal të Shëndetësisë të ngritet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë”.

Ky është rekomandimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

“E përsërisim rekomandimin tonë që Inspektorati shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse”.

Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë deklarojnë se në cilin grup të viruseve bënë pjesë tipi A i gripit sezonal

“Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithē personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar”.

Infektologu Ahmeti për gripin sezonal: Këtyre personave ju rekomandohet vaksinimi

Infektologu, Salih Ahmeti, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se gripi shkaktohet nga viruset e Influencës A dhe B, virusi i gripit përhapet me anë të spërklave të nxjerra në ambientin e jashtëm nga njeriu i infektuar me kollitje, teshtitje, të folur apo drejtpërdrejt me kontakte të ngushta ndërnjerëzore.

Infektologu, Salih Ahmeti

Sipas Ahmetit periudha e inkubacionit (koha nga kontakti me virusin deri në shfaqjen e shenjave klinike) është e shkurtër, 1-4 ditë.

“Sëmundja fillon shpejtë me temperaturë të lartë (38-40 C) që zgjat 3-5 ditë, dhembje koke, dhembje të muskujve e nyjeve, ndjenjën e lodhjes dhe këputjes, humbje apetiti,vështërsi në frymëmarrje,  ndonjëherë me të vjella dhe heqje barku(diarre)”.

Ai ka shtuar se krahas shenjave të toksikozës së përgjithshme shfaqen edhe ato lokale si tharje e fytit, lotim, rrjedhje e hundëve, kollë e thatë apo me sputum (këlbazë).

“Gripi mund të prekë të gjitha moshat receptive, por numri më i madh i rasteve takohet në moshat 5-15 vjeç”.

Ahmeti ka theksuar se “ndërlikimet e gripit janë të rralla e të lehta si sinuzitet, otitet, tonzilitet etj. Ndërlikimet më të rënda, që mund të rrezikojnë jetën e të sëmurit janë ato pulmonare (pneumonia virale-primare, pneumonia bakterore-sekondare), kardikae (miokarditi, perikarditi) dhe neurogjene (Syndroma Reye, neuritet, radikulitet, encefaliti)”.

“Në Republikën e Kosovës (vaksinimi i përshtatur për kushtet e vendit), bëhet me monovaksinë dhe nuk vaksinohen fëmijët nën 7 vjeç. Ekziston edhe vaksina e gjallë virale për aplikim nazal, por nuk ka gjetur përdorim masiv”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas infektologut Ahmeti vaksina nuk rekomandohet për këta persona

“Personat alergjik në vezë apo në ndonjërën nga komponentët e vaksinës, personat me temperaturë të lartë ose sëmundje akute infektive, personat që trajtohen me kortizonik, citostatik (antitumoral) dhe personat me deficite të rënda imunitare”.

“Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse duhet të konsultohen me mjekun para se të vaksinohen”, ka theksuar ai. 

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë kësaj sezone vërehet një intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal

“Prej 1 tetor-9 dhjetor 2021 në IKSHPK janë raportuar gjithsej 9.788 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip, 2.033 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 57 raste me infeksion të rëndë respirator akut”.

Është identifikuar tipi A i gripit sezonal

“Në laboratoret e Qendrës Kombëtare të Gripit është identifkuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponentën e vaksinës së gripit, e cila I mbron personat e vaksinuar”.

A ka vaksina mjaftueshën në Kosovë për gripin sezonal?

“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sivjet 140.000 vaksina kundër gripit sezonal dhe deri tash mbi 50.000 qytetarë nga grupet e rrezikuara janë vaksinuar”, kanë njoftuar nga kjo ministri.

Vaksina mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe shtrimi në spital. U bëhet thirrje qytetarëve nga grupet me rrezik më të lartë që të vaksinohen!

Ndryshe, një raport nga Akademia e Shkencave Mjekësore parashikoi që shtrimet në spital dhe vdekjet nga gripi dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (që shkakton infeksion në mushkëri, RSV) mund të jenë më shumë se dyfishi i atyre që shihen në një vit normal.

Studiuesit thanë se kjo mund të çojë deri në 60,000 vdekje nga gripi dhe 40,000 fëmijë në spital me këtë grip./Gazeta Enigma/

Related Articles