Imri Ahmeti betohet për herë të tretë si kryetar i Lipjanit

Imri Ahmeti betohet për herë të tretë si kryetar i Lipjanit

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka dhënë betimin për herë të tretë si kryetar i kësaj komune.



Kryetari i rizgjedhur, Ahmeti në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Lipjanit tha se verdikti i votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e ka bërë krenar, por edhe përgjegjës që në mandatin e ardhshëm katër-vjeçar të punojë fort e me për të zhvilluar qytetin.

“Vërtet për mua është jo vetëm ditë e veçantë që për të tretën herë po rifilloj detyrën e kryetarit të komunës. Prandaj, i jam mirënjohës qytetarëve që më kanë bërë krenar për vlerësimin tuaj, por ju edhe më obligoni shumë që ne të punojmë fort, të punojmë me përgjegjësi për të zhvilluar komunën tonë. Për mua para së gjithash është obligim dhe përgjegjësi e jo privilegj. Është detyrë e shenjtë e jo pozitë, është synim e vizion i zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës tonë e jo punë e zakonshme, por edhe detyrim për të vazhduar me dinamikë e insistim ndërtimin dhe zhvillimin e komunës tonë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha po ashtu se parimi i respektimit të ligjit do të jetë bazament i përhershëm i punës së tij në komunën e Lipjanit.

“Parimet tona qeverisëse dua sot t’ua rikujtoj dhe t’ua rikonfirmoj të gjithëve që parimi i respektimit të ligjit përkatësisht normave qeverisëse do të jenë bazament i përhershëm i punës tonë. Gjatë mandatit që po e rifillojmë, parimi i qeverisjes ligjore dhe transparente do të jetë udhërrëfyes dhe shteg që s’dalim përtej saj dot, pavarësisht sfidave, interesave, presioneve që mund të prodhohen gjatë punës tonë”, theksoi ai.

Ahmeti me këtë rast ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe me të gjitha strukturat e partive pa dallim në të mirë të zhvillimit të mëtutjeshëm të Lipjanit, qytetit dhe fshatrave të komunës.

Imri Ahmeti nga LDK-ja ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve pa balotazh në zgjedhjet e 17 tetorit ku në garë ishte me kandidatët Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Hyzer Rizani nga PDK-ja dhe Bashkim Budakova nga AAK.

Sot është betuar edhe kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Bedri Hamza. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles