Infektologu, Salih Ahmeti në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se gripi shkaktohet nga viruset e Influencës A dhe B, virusi i gripit përhapet me anë të spërklave të nxjerra në ambientin e jashtëm nga njeriu i infektuar me kollitje, teshtitje, të folur apo drejtpërdrejt me kontakte të ngushta ndërnjerëzore.
Muajt e ftohtë të vitit dhe grumbullimet e njerëzve në ambiente të mbyllura dhe jo mirë të ajrosura favorizojnë përhapjen e infeksionit.
Virusi i gripit fillimisht vendoset në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, e ndonjëherë arrin të zbresë deri në alveole-mushkëri dhe jep pneumoni, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Sipas Ahmetit periudha e inkubacionit (koha nga kontakti me virusin deri në shfaqjen e shenjave klinike) është e shkurtër, 1-4 ditë.
“Sëmundja fillon shpejtë me temperaturë të lartë (38-40 C) që zgjat 3-5 ditë, dhembje koke, dhembje të muskujve e nyjeve, ndjenjën e lodhjes dhe këputjes, humbje apetiti,vështërsi në frymëmarrje, ndonjëherë me të vjella dhe heqje barku(diarre)”.
Ai ka shtuar se krahas shenjave të toksikozës së përgjithshme shfaqen edhe ato lokale si tharje e fytit, lotim, rrjedhje e hundëve, kollë e thatë apo me sputum (këlbazë).
“Gripi mund të prekë të gjitha moshat receptive, por numri më i madh i rasteve takohet në moshat 5-15 vjeç”.
Ahmeti ka theksuar se “ndërlikimet e gripit janë të rralla e të lehta si sinuzitet, otitet, tonzilitet etj. Ndërlikimet më të rënda, që mund të rrezikojnë jetën e të sëmurit janë ato pulmonare (pneumonia virale-primare, pneumonia bakterore-sekondare), kardikae (miokarditi, perikarditi) dhe neurogjene (Syndroma Reye, neuritet, radikulitet, encefaliti)”.
“Në Republikën e Kosovës (vaksinimi i përshtatur për kushtet e vendit), bëhet me monovaksinë dhe nuk vaksinohen fëmijët nën 7 vjeç. Ekziston edhe vaksina e gjallë virale për aplikim nazal, por nuk ka gjetur përdorim masiv”, ka theksuar Ahmeti.
Mjekimi është simptomatik
Njëherit, ai ka shtuar se “I sëmuri duhet të qëndrojë në ambiente të ngrohta dhe mirë të ajrosura, të përdorë lëngje frutash, çaj dhe vitaminë C”.
Këshillat e Ahmetit për tejkalimin sa më të lehtë dhe të shpejt të gripit sezonal janë përdorimi i këtyre medikamente.
“Për uljen e temperaturës dhe pakësimin e dhembjeve jepen antipiretik dhe analgjetik si paracetamol apo analgin. Te femijët nuk duhet dhënë acidi acetilsalicilik për shkak të rrezikut nga sindroma Rej”, ka deklarua ai.
Ahmeti kujton edhe për efektet që kanë antiviralët.
“Të dhënat klinike tregojnë për efekte të mira me antiviral si Amantadina, Rimantadina, Oseltamivir, nëse jepen në dy ditët e para nga fillimi i sëmundjes. Dhënia e këtyre preparateve për 5 ditë lehtëson shenjat dhe gravitetin e sëmundjes, ndërsa ndërlikimet bëhen më të rralla”, ka thënë ai.
Sipaj tij në rastet e gripit të pandërlikuar nuk duhet dhënë antibiotikë, ndërsa ndërlikimet bakterore mjekohen me antibiotikë të zgjedhur sipas antibiogramit.
Parandalimi
Ahmeti për Enigmën ka thënë se parandalimi i gripit sezonal bëhet me vaksinim, përdoret vaksina e mbytur e cila jepet çdo vit në muajt tetor ose nëntor.
Këtyre personave ju rekomandohet vaksinimi sipas Ahmetit.
“Vaksinën mund ta marrin të gjithë ata që nuk dëshirojnë të përballen me shqetësimet e gripit, por iu rekomandohet personave të moshuar (mbi 65 vjeç), personave me sëmundje kronike te zemrës, veshkave, mushkërive, mëlçisë, diabetikëve dhe atyre me imunitet të ulur”, ka deklaruar ai.
Kush duhet të marrë një dozë të kësaj vaksine e kush dy?
“Të rriturit dhe fëmijët deri 3 vjeç, marrin një dozë vaksine prej o.5 ml. Fëmijët nga 6-35 muaj marrin një dozë 0.25 ml. Nëse i rrituri ose fëmija vaksinohet për herë të parë, doza e dytë merret pas një muaji. Vaksina injektohet në muskulin e krahut, thellë nën lëkurë. Imuniteti postvaksinal zgjat 6-10 muaj”, ka theksuar Ahmeti.
Efektet anësore të vaksinës
Sipas tij “Efektet anësore të vaksinës janë të pakta: dhembje koke, djersitje, mialgji, artralgji, temperaturë të lehtë apo reaksione lokale si: skuqje, dhembje dhe fortësi përreth vendit të vaksinimit”.
Ndërsa reaksionet alergjike në lëkurë, konvulsionet dhe çrregullimet nervore janë të rralla, ka thënë ai.
Vaksina nuk rekomandohet për këta persona
“Personat alergjik në vezë apo në ndonjërën nga komponentët e vaksinës, personat me temperaturë të lartë ose sëmundje akute infektive, personat që trajtohen me kortizonik, citostatik (antitumoral) dhe personat me deficite të rënda imunitare”.
“Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse duhet të konsultohen me mjekun para se të vaksinohen”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, kanë thënë se në fillim të këtij viti kanë kontraktuar vaksinat për gripin sezonal.
“Po janë kontraktuar në fillim të këtij viti 140 000 doza të vaksinave kundër gripit sezonal, ku jjëherit kanë theksuar se UNICEF-i ka njoftuar që në Kosovë pritet të arrijnë në fund të muajit tetor”, kanë deklaruar nga kjo ministri.
Ministria e Shëndetësisë në këtë përgjigje kanë treguar se kush do të vaksinohet me vaksinat kundër gripit sezonal.
Sipas kësaj ministrie “Me këto vaksin do të vaksinohen grupet e të moshuarve, të sëmurët kronikë dhe shtatzënat si kategori priritare”.
Vlen të theksohet se një raport nga Akademia e Shkencave Mjekësore parashikoi që shtrimet në spital dhe vdekjet nga gripi dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (që shkakton infeksion në mushkëri, RSV) mund të jenë më shumë se dyfishi i atyre që shihen në një vit normal.
Studiuesit thanë se kjo mund të çojë deri në 60,000 vdekje nga gripi dhe 40,000 fëmijë në spital me këtë grip.
Ekziston frika se shërbimi shëndetësor do të ‘goditet’ nëse viruset përhapen mbi presionet normale sezonale, me infermierët që paralajmërojnë se kriza e dimrit është “tashmë këtu” dhe ata po përpiqen të vazhdojnë për shkak të lodhjes./Gazeta Enigma/