Infektologu Ramadani: Doza e tretë e vaksinës dhe ajo përforcuese ‘shpëtim’ nga Omicron

Infektologu Ramadani: Doza e tretë e vaksinës dhe ajo përforcuese ‘shpëtim’ nga Omicron

Sipas ekspertëve shëndetësor, vaksinimi është e vetmja mbrojtje nga COVID-19, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

“Vaksinimi në vendin tonë është për t’u përshëndetur, është mbi 770 mijë me dy doza, por vlen të theksojmë se dy dozat e vaksinës nuk e mbrojnë qytetarin nga Omicron, pra vetëm doza e tretë e vaksinës ose ajo përforcuese do ta pamundësojë një infeksion të COVID-19 siç është Omicroni”, ka thënë Ramadani.

Infektologu, Hamdi Ramadani

Infektologu, Hamdi Ramadani, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’ ka theksuar se ardhja e mërgimtarëve nga vendet ku vetëm se kanë pasur raste edhe më herët me Omicron mund të nxisin rritje të rasteve me të infektuar.

“Lëvizja e madhe e qytetarëve prej vendeve siç është Britania, Gjermania, Franca, Italia e tjera në Evropë si epiqendër mendohet se është Britania, bëjnë të mundur këtë. Tashmë janë duke ardhur festat e fundvitit, ku lëvizja e madhe e qytetarëve, nga një vend në tjetrin qoftë në vendin tonë apo në vende tjera, do ta mundësojnë në mënyrë shumë të madhe edhe përhapjen me Omicron”, ka thënë ai.

Sipas tij, për faktin se qytetarët janë të vaksinuar me dy doza nuk janë sigurt, dhe nuk mund ta përballojnë ose t’i rezistojnë Omicron.

“Vetëm një dozë e tretë e vaksinës, ose dozë përforcuese do të jetë e mundshme që ta rezistojë ose do ta pamundësojë infeksionin sepse tri dozat e vaksinës tash për tash mendohet se e rrisin imunitetin te i vaksinuari në 95% , kurse dy dozat e vaksinës nuk e mbrojnë qytetarin për shkak se efekti është më pak se 80%, dhe në këtë kuptim i është dhënë rëndësi e madhe dhënies ose marrjes së dozës së tretë të vaksinës antiCOVID, çfarëdo qoftë ajo vaksinë, sepse nuk është vërtetuar ende asnjë vaksinë që do ti rezistoj Omicronit, qoftë ajo Pffizer, AstraZeneca ose Moderna”, ka deklaruar ai.

COVID-19, masat mbrojtëse nga Omicron

“Tek ne situata për momentin mbetet e mirë, masat duhet të respektohen nga organet kompetente dhe të bëhen sa më shumë testime për COVID-19, sidomos këta që vijnë nga jashtë që të shihet mos eventualisht është me Omicron, e nëse rezulton pozitiv atëherë ai të izolohet ose te vendoset në karantinë dhe të trajtohet”, ka thënë Ramadani.

Njëherit, ai ka theksuar se “situata në vendin tonë është e mirë dhe organet kompetente kanë bërë punën e tyre mirë, por kjo nuk nënkupton që jemi në një situatë luksi, që të mund të lirohen masat. Përveq kësaj, është një gjë e mirë që Omicron bazuar në të dhëna të deritanishme nga OBSH nuk po tregohet shumë i rëndë në aspektin klinik, ku zakonisht simptomat janë më të lehta që në mjekësi i quajmë asimptomatike”. 

Cilat grup-mosha të fëmijëve nuk kanë nevojë ta marrin vaksinën antiCOVID? 

“Te fëmijët në vendin tonë mosha nga 5-12 vjeç është një moshë e cila nuk është ende e mbrojtur, nuk është miratuar administrimi i dozës së vaksinës antiCOVID pasi që mosha 5-12 vjeç dhe mosha 12 vjeç e tutje sulmohet ose atakohet edhe nga Omicron. Kështu që në shumë vende të botës kanë filluar vaksinimin e fëmijëve 5-12 vjeç sepse ndryshe kjo moshë jetë e pa mbrojtur nga Delta dhe Omicron”, ka deklaruar Ramadani.

“Prandaj kjo është një situatë shqetësuese, mjaft e rëndë dhe mendoj që për një të ardhme të afërt qoftë në botë, Evropë kudo që të jetë situata e pandemisë COVID-19 do të jetë e rëndë, e vështirë, serioze dhe e pasigurt”, theksoi ai.

Edhe në vendin tonë shpresojmë në një të ardhme të afërt që të lejojnë administrimin e vaksinave për fëmijët që të kenë mbrojtën e duhur edhe kjo kategori.

“Vendi ynë dhe Ministria e Shëndetësisë sa më shpejt të jetë e mundur të lejojë administrimin e vaksinës antiCOVID të moshës 5-12 që e kanë bërë shumë shtete e që duhet patjetër edhe vendi ynë se edhe kjo moshë ka të drejtë të mbrohet me vaksinën të cilën e posedon”, ka përfunduar Ramadani.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit janë administruar 498 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.665.209 doza të vaksinës.

Deri më tani 780.327 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Gazeta Enigma/

Related Articles