Ekipet kosovare të Superligës së Kosovës në futboll janë duke i mbushur ‘bateritë’ pak ditë para ndeshjeve në garat evropiane.
Klubi Futbollistik “Drita” nga Gjilani është duke qëndruar në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku po e zhvillon fazën përgatitore për ndeshjet në Ligën e Konferencës.
Gazeta Enigma e ka intervistuar kryetrajnerin e “bardhekaltërve”, Ardian Nuhiun, i cili ka folur për intensitetin e përgatitjeve, formën e lojtarëve, kundërshtarin e parë në garat evropiane dhe shumëçka tjetër.
Sipas Nuhiut, faza përgatitore gjithmonë është e lodhshme për futbollistët, por që këta të fundit po i përgjigjen kërkesave të shtabit teknik.
“Faza përgatitore janë të lodhshme për futbollistët, por me një përkushtim maksimal po i përgjigjen kërkesave tona, shoh shumë entuziazëm dhe profesionalizëm. Gradualisht jemi duke e rritur intensitetin e stërvitjeve, po marrim ngarkesën e duhur”, tha Nuhiu.
Skuadra gjilanase në Ohër ka zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore për të parë formën aktuale të lojtarëve, kurse trajneri shkupjan thotë se po mundohen të aktivizojnë çdo lojtarë për të kapur formën.
“Po shfrytëzojmë çdo ditë për të përfituar nga seancat stërvitore. Gjithashtu me ndeshje kontrolluese po mundohemi që çdo futbollist të merr minutat dhe të kap formën. Ndeshjet na ndihmojnë që të eliminojmë gabimet që mund të paraqiten, gjithashtu të përmirësohemi në ndërtimin e lojës dhe të bëjmë rutinë lëvizjet”, shtoi më tutje Nuhiu për Enigmën.
“Kemi analizuar Inter Turku, po mundohemi të kapim ritmin”
FC Drita në kuadër të Ligës së Konferencës do të përballet ndaj skuadrës finlandeze, Inter Turku.
Ballafaqimi i parë mes këtyre skuadrave do të zhvillohet në Finlandë me 6 korrik, kurse ndeshja e kthimit në Prishtinë me 12 korrik.
Shefi i shtabit teknik, Nuhiu, ka theksuar se skuadra kundërshtare është në ritëm të ndeshjeve dhe se ekipi i tij po tenton ta kap ritmin.
“Kundërshtari jonë është në ritëm të ndeshjeve sepse atje po vazhdon kampionati, kurse ne po mundohemi të kapim ritmin me këto ndeshje kontrolluese qe do t’i kemi deri në fund të fazës. Kemi shfrytëzuar grumbullimin edhe për analiza më të detajuar rreth kundërshtarit, po e njohim çdo ditë e më shumë. Bëhet fjalë për një skuadër cilësore, skuadër teknike e cila luan mirë me topin, gjithashtu ka edhe individë të cilët e bëjnë diferencën”, thotë ai.
“Ka qenë e rëndësishme që t’i marrim disa futbollistë cilësorë për ta shtuar konkurrencën”
Trajneri shkupjan ka folur edhe për prurjet e fundit, ku sipas tij ka qenë e nevojshme të shtohet konkurrenca në skuadër.
“Ka qenë e rëndësishme që grupit kualitativ që kishim të shtojmë edhe disa futbollistë cilësorë, të shtojmë konkurrencën në skuadër dhe të rrisim përformancën. Jemi përqendruar më tepër që nga kampionati jonë të sjellim futbollistë, i njohim mirë karakteristikat e tyre dhe vlerat. Mendoj që janë ambientuar mirë me grupin dhe nga dita në ditë ata po e kapin filozofinë e lojës tonë nëpërmjet stërvitjeve apo edhe videove që të jetë gjithçka më e qartë dhe më e lehtë për ata”.
“Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë mirë me shëndet dhe po punojnë fort, gjithashtu grumbullimin po e shfrytëzojmë për të ndërtuar një skuadër me shpirt luftarak, dhe besoj se të gjithë do të jenë gati”, përfundoi Ardian Nuhiu.
/GAZETA ENIGMA/