Presidenti i FC Dritës, Valon Murseli, në një intervistë për Gazetën Enigma ka folur për sukseset e klubit, objektivat dhe për pritshmërit në prag të ndeshjes ndaj Inter Turkut në kuadër të Ligës së Konferencës që do të zhvillohet më 6 korrik.
Murseli ka treguar edhe për përfitimet e klubit, planin afatgjatë dhe sfidat, shkruan Gazeta Enigma.
Edhe pse klubi që e udhëheq nuk ka fituar asnjë trofe vitin e fundit të garave në Supeligën e Kosovës në futboll, Murseli e konsideron si edicion të suksesshëm, për të, sukses është fakti që klubi do të paraqitet për herë të tretë në garat ndërkombëtare.
“Po është e vërtet ky është viti i tret radhazi që në marrim pjese në Evropë dhe i katërti në përgjithësi, ndaj dhe me gëzon fakti që Drita është në nivelin e ekipeve elite në futbollin e Kosovës që pjesëmarrjen ne Evropë tashmë e ka të pa diskutueshme dhe në përgjithësi e vlerësoj si një edicion te suksesshëm”, thotë Murseli për Enigmën.
Kur flet për ndeshjen ndaj Inter Turkut të Finlandës, biznesmeni nga Gjilani, thotë se do ta kenë përballë një skuadër të fortë, por “beson në kualitetin e lojtarëve të Dritës”.
“Realisht shorti na ka rezervuar një ekip të fort për raundin e pare duke marr parasysh që kishim shans dhe për ekipe shumë herë më të dobëta, gjithsesi pavarësisht eksperiencës në Evropë dhe kualitetin që ka Inter Turku kam shumë besim në kualitetin e këtij ekipi që kemi dhe besoj fuqishëm që do të arrimë ta kalojmë Inter Turkun, dhe pastaj do të përballemi dhe me një kundërshtar si ata te zakonshmit që ekipit tonë gjithmonë po i rezervohen siç ishte Malmo, Legia, Feyenoord dhe tani Antëerp”, potencon ai.
Megjithatë Murseli, thekson se nuk mund të prognozoj se sa larg do të shkojë Drita në Ligën e Konferencës.
“Se sa larg do shkojmë nuk mund te them, mirëpo kemi ndërtuar një ekip që duhet te na respektoj çdo kundërshtar i nivelit të lartë në Evropë”.
Presidenti Murseli, është i kënaqur edhe me menaxhimin e Dritës, edhe pse nga kuleta e klubit janë shpenzuar miliona euro, por pa arritur që të transferojnë ndonjë futbollist në tregun ndërkombëtar.
“Ne si çdo klub tjetër kemi politiken e zhvillimit tonë si klub, andaj unë nuk e konsideroj problem nëse në futbollin tonë ka shuma enorme siç po i quani ju, por konsideroj problem stabilitetin ekonomik të klubeve, ndaj dhe mbi të gjitha jam shumë krenar me mënyrën se si po e menaxhojmë klubin tonë këto gjashtë vitet e fundit me stabilitetin ekonomik që i kemi krijuar kësaj skuadre dhe imazhin në tersi që i kemi sjell futbollit të Kosovës”, tregon ai.
Ai ka refuzuar të tregojë se cilat janë përfitimet e klubit në gjashtë viteve të fundit, prejse Murseli së bashku me Flamur Bunjakun janë presidentë të klubit.
”Sa i përket përfitimeve dhe shpenzimeve financiare nuk mund të them asgjë për këtë duhet pyesni financierin e klubit, por di të them që nuk ka një diferencë të madhe mes të hyrave dhe daljeve. Me informatat që kam dhe atyre prej katër vitesh po behën investime te mëdha ndaj dhe besoj që shumë shpejt do të fillojnë frytet e investimit atje”, thotë ai.
Si problem në futbollin e Kosovës vazhdon të jetë mungesa e planave afatgjate, por Murseli thotë se “Drita është në duar të sigurta”.
“Në që vitin e parë kur kemi ardhur këtu kemi pasur një plan afatgjatë, parvarisht që shume njerëz mund te kenë qen skeptik, andaj sigurisht se edhe për të ardhmen ka shumë plane”.
Sfidë tjetër për klubet nga Gjilani, vazhdon të jetë mosrregullimi i Stadiumit të Qytetit, prandaj, ai vuri në pah se ky fakt e penalizon shumë klubin e tij.
“Ndoshta një nga arsyeje qe Drita akoma nuk duket klub i madh evropian, shpresoj që sa me shpejt të reagojnë institucionet tona që ne të kemi shtëpinë tonë, e ne ndërkohë deri atëherë ne po mundohemi te bëjmë më të mirën që ta “qojmë Dritën në qiell”.
Për Murselin, objektivat e klubit për sezonin e ri dihet, sa më shumë trofe të fituara, por edhe synohet të shkruhet historia në garat evropiane.
“Deri sa unë dhe Flamur Bunjaku të jemi president të këtij klubi, objektivat janë të qarta, tituj dhe trofe sa më shumë, gjithashtu synojmë të shkruajmë histori në Evropë siç dhe e kemi bërë deri tani”, thotë ai. /Gazeta Enigma/