Inspektorati Policor i Kosovës ka reaguar pas pretendimeve të subjektit “Demokracia Serbe”, i cili akuzonte këtë institucion se kishte fshehur rreth 30 ankesa të paraqitura nga kjo parti.
IPK-ja i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe tendencioze.
“IPK thekson qartë se asnjë ankesë nuk fshihet. Çdo rast që pranohet regjistrohet zyrtarisht, trajtohet në përputhje me mandatin ligjor dhe hetohet në mënyrë profesionale, objektive dhe të pavarur, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politike apo sociale të ankuesit.”, thuhet në reagimin e institucionit të martën.
Sipas IPK-së, gjatë viteve të fundit janë zhvilluar takime të rregullta me qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues vendor e ndërkombëtarë, ku janë dhënë shpjegime për mënyrën e trajtimit të ankesave dhe janë publikuar raporte të veçanta për gjetjet e hetimeve për pesë vitet e fundit.
“Akuzat se IPK gjoja ‘mban anën e policisë’ janë të pavërteta. IPK është institucion i pavarur, multietnik dhe i mbështetur në standardet ndërkombëtare, i cili nuk ndikohet dhe trajton me paanshmëri çdo rast duke kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor.”, thuhet tutje në reagim.