Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar tre punonjës të Policis së Kosovës, të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, shkruan Enigma.
Në komunikatën e IPK-së, thuhet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu kishin tejkaluar autorizimet e përdorimit të forcës.
Tutje thuhet se ky rast ka ndodhur mbrëmjen e 11 nëntorit në Fushë Kosovë, me rastin e ndalimit të një qytetari nga ta.
Komunikata e plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe pas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11.11.2024 në Fushë Kosovë me rastin e një ndalimi në trafik të një qytetari nga zyrtarët policorë.
Hetuesit e IPK-së në konsultim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt sqarimit të rrethanave të këtij incidenti.