IPK rekomandon suspendimin e tetë policëve në Gjakovë dhe Gjilan

IPK rekomandon suspendimin e tetë policëve në Gjakovë dhe Gjilan

Inspektorati Policor i Kosovës në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe Gjilan.

Sipas IKP-së, rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19 shkurt ku fillimisht një qytetar në Gjakovë është njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vendin ku është e ndaluar.

“Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë  tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje”.

“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.”

“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se edhe nuk janë të vërteta”.

Më tej, bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së janë konsultuar me Prokurorinë Themelore në  Gjakovë dhe veprimet tjera hetimore do të ndërmerren ndaj gjashtë zyrtarëve policorë në procedurë të rregullt në drejtim të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në interes të hetimit, ky Inspektorat thekson se i ka rekomanduar Policisë suspendimin për 6 zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës.

Në rastin tjetër, IPK njofton se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për dy zyrtarë policorë  në Gjilan.

“Hetimet lidhur me këtë rast ndaj dy zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan në procedurë të rregullt  me dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo Kallëzim i rremë”

“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.

Related Articles