Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, ka folur për skandalin financiar në të cilin dyshohet se është përfshirë Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj dhe politikani slloven, Robert Golob.
Kastrati ka thënë për Ekonomia Online, se ambasadori Berishaj duhet t’i argumentojë me dokumente zyrtare se kujt ia ka dorëzuar ato para dhe me çfarë transporti janë kryer këto mjete për destinacionin përfundimtar.
Ndonëse thotë se në të kaluarën ambasadorët janë shkarkuar pa asnjë arsye e në kundërshtim me ligjin, për rastin e fundit thotë se nuk duhet të nxitohet.
“Mendoj që fillimisht ambasadori Martin Berishaj duhet të argumentojë me dokumente zyrtare, se kujt ia ka dorëzuar ato para dhe çfarë transporti ose makine ka shfrytëzuar për t’i bartur ato para nga Mali i Zi për në destinacionin përfundimtar, e pastaj varësisht nga këto argumente të merret vendimi. Edhe pse në të kaluarën ambasadorët janë shkarkuar pa asnjë arsye dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi, mendoj që nuk duhet të nxitohet”, ka thënë Kastrati në një përgjigje me shkrim.
Televizioni slloven, Planet TV ka raportuar për një implikim të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal financiar. Sipas televizionit, Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.
Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook.