Ish-deputeti serb thotë se shteti është në dijeni për 16 varrezat masive me shqiptarë në Serbi

Ish-deputeti serb thotë se shteti është në dijeni për 16 varrezat masive me shqiptarë në Serbi

“Në Serbi ekzistojnë 16 varreza masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shteti serb është në dijeni për këto varreza. Thjesht, refuzon t’i bëjë publike lokacionet e tyre”.

Kështu thotë ish-deputeti në parlamentin serb dhe Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, duke thënë se Serbia fsheh varret maisve të shqiptarëve që ata ekzekutuan dhe kidnapuan.

Ai tha se ministri i Policisë, Dusko Mihajloviç i ka informuar për këto varreza maisve në një prej mbledhjeve të DOS-së, koalicionit që kishte rrëzuar Millshoveçin.

Çanak thot se ka kërkuar të lokalizohen dhe ato informacione të bëhen publike, duke refuzuar  njëri nga funksionarët e lartë të asaj kohe.

Ai është i vetëdijëshëm se sa e rëndësishme është “që të konfirmojmë lokacionin e viktimave nga të dyja anët”.

“Është harxhuar shumë kohë me konflikte dhe debate”, thotë ai. Prandaj, kërkon që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të jetë konstruktiv dhe të prodhojë rezultate të prekshme, duke iu shmangur deklaratave nacionaliste për konsum politik të brendshëm.

Ai mendon se duhet një dialog i hapur dhe konstruktiv me një gatishmëri të përbashkët për të gjetur zgjidhje të përgjithshme dhe të përhershme.

“Besoj se duhet të qëndrojmë larg deklaratave të ashpra dhe nga koncepti se dialogu është një ring boksi ku e godet kundërshtarin dhe votuesit të duartrokasin”.

“Jam i bindur se kjo atmosferë tensioni të vazhdueshëm është një prej arsyeve se pse të rinj po largohen nga vendet tona për në vendet evropiane”, shton Çanak, për Albanian Post.

Ballafaqimi me të kaluarën, sipas ish-deputetit serb, është bazë për paqe të përhershme në rajon. Për këtë, thekson ai, mund të kontribuojë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Zoti Kurti me autoritetin e tij prej kryeministri ka një mundësi për të inkurajuar këtë lloj ideje për ballafaqimin me të kaluarën edhe të shoqërisë kosovare”.

Tutje ai nënvizon se nëse nuk “ftohen gjakrat” mes Beogradit dhe Prishtinës, “nëse këto ofendime shpijnë në konflikte të reja, atëherë ne do të mbetemi vende të shkreta, pa asnjë njeri”.

Ndërkaq, kur pyetet se pse Serbia nuk ka vendosur ende t’i hapë arkivat e ushtrisë, ai thotë se një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak të raporteve jo të mira mes dy shteteve.

“Nuk do të mund ta dija nëse ato të dhëna mbahen ose jo të fshehta. Unë do të thosha se në këto tensione të forta mes Beogradit dhe Prishtinës, për shkak të arsyeve të përditshme politike, ky informacion thjesht nuk diskutohet me kujdes, ose edhe janë diskutuar por ndoshta shtyhen për kur marrëdhëniet të jenë më të mira”.

Për sa i përket kreut të komisionit serb për të pagjeturit, Veljko Odaloviç, për të cilin Kurti, gjatë takimit në Bruksel në këtë muaj, kishte kërkuar përjashtim, Çanak thotë se Odaloviç “në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës”.

“Nëse ka akuza ndaj Odaloviçit, kjo çështje duhet të trajnohet nga gjykatat. Edhe në regjimin e Millosheviçit, ka pasur njerëz që kanë qëndruar të pastër”, tha ai duke theksuar se jo të gjithë duhet të bartin barrën e krimeve të tij, sepse sipas tij kjo do të ishte në pajtim me atë që disa flasin për faj kolektiv.

“Unë nuk besoj se është mirë të futemi në zgjidhje personale dhe se ajo qasje vetëm sa do ta zgjaste konfliktin politik dhe nuk do t’i shërbente dialogut. Ju ndoshta do të pajtoheshit se Beogradi mund të ketë disa probleme me zgjidhet personale nga ana e Prishtinës dhe ku do të na çonte kjo”.

Duke komentuar ndryshimin e skenës politike në Kosovë, ish-kryetari i Parlamentit Rajonal të Vojvodinës vlerëson se kosovarët janë lodhur nga politikat e Thaçit dhe Haradinajt, dhe kjo është edhe pjesë e arsyes pse Kurti ka fituar.

“Dua të besoj se Kurti në atë takim do të sjellë një formë më të qëndrueshme se sa zyrtarët e mëparshëm”, thotë ai për Albanian Post.

“Nuk e di a e keni vërejtur se debati është shndërruar në një platformë premtimi për votues, se sa kërkim për zgjidhje”.

Krejt në fund të intervistës, Çanak flet edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilin e cilëson si centralist dhe nacionalist.

Ai kërkon që Bashkimi Evropian të shpejtojë pranimin e Ballkanit Perëndimor, meqë në të kundërtën sipas tij, “administrata e Putinit do të vazhdojë të përdorë shanse për destabilizimin e rajonit”.

Related Articles