Ish-diplomatë të Kosovës komentojnë angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor

Ish-diplomatë të Kosovës komentojnë angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, po qëndron të dielën në Bosnje e Hercegovinë në një periudhë tensionesh në këtë vend të nxitura nga veprimet udhëheqësit të serbëve, Milorad Dodik, i cili shpreh hapur synimet për ndarjen e Bosnjës.

Përfshirja e Escobar në uljen e tensioneve si dhe propozimet e fundit të administratës amerikane për të emëruar ambasadorë dhe diplomatë me përvojë të gjatë në vendet e Ballkanit, nga ish diplomatë në Prishtinë, po shihet si një mesazh që Shtetet e Bashkuara po shtojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan.

Ish ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, tha për Zërin e Amerikës se angazhimet e tilla po ndodhin në kohën e duhur për shkak të situatës së muajve të fundit në rajon.

“Kjo është konsideruar si një sinjal që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kushton rëndësi rajonit dhe se do të vazhdojnë të jenë të pranishme ndoshta në mënyrë më të forcuar në Ballkan në një kohë ku për shkak të shumë faktorëve politik, rrethanat po rëndohen politikisht dhe diplomatikisht do të thosha”, tha ai.

Ish ambasadori i Kosovës në Tajlandë dhe vendet e Azisë Juglindore, Muhamet Brajshori tha se administrata e re amerikane po përgatitet që të angazhohet në Kosovë dhe në rajon.

“Emërimi i disa figurave që kanë qenë qoftë në vitet e 90-ta figura kyçe politike të asaj kohe sikurse Christopher Hill apo edhe ambasadorët në Bosnje dhe Kosovë që kanë qenë pjesë e proceseve qoftë të (Martti) Ahtisarit, Rambujes apo të tjerave, tregon që ka një interesim të Uashingtonit që të zgjidhen temat që kanë mbetur të hapura qysh prej viteve 90-ta pas luftës në Kosovë”.

“Me theks dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në Bosnje e cila siç po duket ka gjasa që të shkoj para një eskalimi që nuk është menduar para disa muajsh”, tha ai.

Brajshori thotë se mungesa e një qasjeje me aktive amerikane dhe evropiane në rajon për një kohë të gjatë, ka krijuar hapësirë për përfshirjen e fuqive tjera.

“E kur t’i shohim këto dy faktorë vërehet që ka pasur një faktorë të tretë që ka shfrytëzuar këtë vakum qoftë të Brukselit qoftë të Uashingtonit në rajon dhe ky është angazhimi rus, angazhimi i palëve të treta siç njihet zakonisht në zhargonin diplomatik dhe i ka shkuar për së shtati Beogradit më shumë sepse kjo ka mundësi që ata të shtyjnë disa agjenda pak më agresive dhe në të njëjtën kohë që të testojnë limitet, që të testojnë se cilat janë vijat kuqe karshi kësaj administrate të re në rajon”, tha ai.

Ish ambasadori Spahiu thotë se Serbia me mbështetjen e Rusisë ka shtuar qasjen agresive ndaj tri shteteve në rajon, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës. Ai thotë se përfshirja e diplomatëve amerikanë do të ndihmojë në çuarjen përpara të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Është mjaft inkurajuese që një diplomat i kalibrit që njeh mirë rrethanat në rajon do të jetë i angazhuar drejtpërdrejt nëse jo si ndërmjetësues sepse ky rol vazhdon t’i mbetet BE-së”.

Njëherit, i është besuar përkundër faktit që nuk ka pasur përparim në atë drejtim, por prania amerikane është gjithnjë e mirëseardhur dhe besoj që do të ketë një ndikim pozitiv në një farë lloj dinamizimi të këtij procesi të dialogut ndonëse është pak skeptike të thuhet se do të ketë ndonjë marrëveshje shumë shpejt”, tha ai.

Diplomati Brajshori thotë se nuk do të ketë një angazhim të drejtpërdrejtë amerikan në bisedime, por vetëm në mbështetje të Bashkimit Evropian në këtë proces, ndërsa thekson se Kosova nuk duhet të mbetët peng e bisedimeve dhe duhet të veproj në drejtim të një plani të ri, raporton VoA.

“Pra duhet ta kuptojmë që nuk do të jemi gjithmonë në vëmendje të aleatëve, duhet ta shfrytëzojmë momentin që sot kemi një administratë amerikane e cila njeh mirë historinë e vendit tonë, e cila njeh historinë e rajonit dhe e cila e ka një ekip goxha perfekt me një eksperiencë të madhe në rajon që është në gjendje të shtyjë qoftë planin A të arrihet një marrëveshje eventuale që për mendimin tim është e paarritshme në rrethana që jemi por qoftë planin B që do të nxirrte Kosovën nga izolimi”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime për arritjen e një marrëveshje normalizimi tashmë më shumë se dhjetë vjet por ende pa ndonjë përparim. Tensionet ndërmjet dyja palëve vazhdojnë të mbetën të larta ndërsa sipas ish diplomatëve, një zgjidhje ndërmjet dy vendeve mbetet vështirë e arritshme në një afat të shkurtër. /Gazeta Enigma/

Related Articles