Sokol Zogaj, ish-kryetar i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se në përvojën e tij 30-vjeçare nuk kishte asnjë rast si të Liridona Ademajt.
“Ka pasë vrasje, por në këtë mënyrë nuk kam pasur asnjëherë përvojë më këso raste”, ka thënë Zogaj.
Ndërsa, për raportimet se Granit Plava, njëri nga të përfshirët në vrasjen e Liridona Ademajt, është sulmuar në burgun e Sigurisë së Lartë, gjë që u mohua nga vetë ShKK-ja, Zogaj ka deklaruar se ky institucion mund t’i parandalojë situatat e tilla.
Derisa për mundësinë e komunikimit në mes të Naim Murselit dhe Granit Plavës pas krimit të kryer, Zogaj është shprehur se është kohë shumë e shkurtër që ata (Murseli dhe Plava) të kenë ndikim në mes vete.
“Sipas meje, është kohë shumë e shkurtër që ata (Murseli dhe Plava) të kenë ndikim mes vete dhe me ardhë deri tek prishja e hetimeve të mëtutjeshme. Por, unë aq sa jam i njoftuar, stafi është i monituruar dhe nuk kanë mundësi këta të debatojnë mes vete. Ata ende janë nën emocione, nuk dinë as vetë se çfarë flasin”, ka shtuar ish-kreu i ShKK-së.
Zogaj ka vijuar se për raste të tilla, Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka vend dhe strehim për të dyshuarit.
“Raste të tilla mund të menaxhohen, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njerëz profesionalë”, ka theksuar Zogaj.
Ai ka treguar se të dyshuarit për vepra të tilla dërgohen në burgun e Sigurisë së Lartë, sepse, sipas tij, aty ka staf të mjaftueshëm duke përfshirë këtu psikologë dhe punëtorë socialë.