Besim Hasani, qëndroi në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës, nga viti 1996 deri në vitin 2021, për më shumë se 25 vite.
Hasani, në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar se sa u pavarësua sporti kosovar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Më 17 shkurt të vitit 2022 bëhen 14 vite që kur Kosova u bë edhe zyrtarisht shtet i pavarur dhe sovran, por sa u zhvillua sporti kosovar pas vitit 2008-të tregon ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
Për Besim Hasanin, shpallja e Pavarësisë së Kosovës është e arritura më e madhe që ka përjetuar gjenerata e tij.
“Shpallja e Pavarësisë se Kosovës është e arritura me e madhe qe e ka përjetuar gjenerata jone. Por kontributi ne arritjen e pavarësisë i takojnë edhe shume gjeneratave para nesh”, shprehet i bindur Hasani.
Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, familja Hasani e përjetuan me shumë emocione.
“Personalisht jam gëzuar shumë, këtë gëzim e përjetoja dhe e ndaja me anëtarët e familjes time të ngushtë, gruan time dhe tre djemtë! Ju thash: ngituni lartë dhe të pestit bëmë një rreth dhe ashtu të përqafuar qëndruam gjatë. Diamanti, djali im i vogël, ishte vetëm 5 vjeçar dhe e dinte se diçka e mirë po ndodh dhe qeshte pa u ndalur. E qeshura e tij gjeneronte qeshje tek Astrit e Graniti por edhe tek unë dhe gruaja ime”, tregon ai.
“Shpresa, gruaja e Besim Hasanit kishte përgatitur hallve për ta festuar shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa vet Hasani e kishte mbajtur një fjalim për flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës”, rrëfen Besim Hasani.
65-vjeçari tregon reagimet e homologëve të tij në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
“Padyshim, shpallja e Pavarësisë zgjoje kërshërinë e mbarë botës, ishte lajmi i ditës, andaj pareshtur arrinin urimet nga miqtë e shumtë të sportit dhe jo vetëm te sportit! Nuk kishte shume komente por vetëm urime. Jo te gjithë e kuptonin pse Pavarësia e Republikës së Kosovës do te njihej nga shtetet ndryshme, një nga një, e jo nga OKB”, thotë ai.
Federata e Peshngritjes së Kosovës ishte federata e parë sportive që u pranua me të drejta të plota nga Federata Europiane e Peshngritjes, pas shpallës së Pavarësisë së Kosovës, tregon Besim Hasani.
“Ashtu siç u patën shtuar shpresat se pas largimit te Serbisë nga Kosova dhe instalimit të UNMIK-ut në Kosovë, do te lehtësohet pranimi i Federatave sportive të Kosovës në Federatat ndërkombëtare, njëjtë u rriten shpresat edhe pas shpalljes se Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në të dy rastet, sfidat ishin te mëdha. Megjithatë, të njëjtin vit, pra ne vitin 2008, kur u shpall Pavarësia, u njoh Federata e Peshëngritjes e Kosove nga EËF (Federata Evropiane e Peshëngritjes), Federate Peshëngritjes u bë Federata e dytë Olimpike e njohur me të drejta të plota”, zbulon Hasani për Gazetën Enigma.
Në vitin 2008-të, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ia kishte parë hajrin Federata e Xhudos, pasi në të njëjtin vit iu lejua xhudistëve nga Kosova të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe ftesa nga FXHK, solli z. Marius Vizer, Presidentin e Federatës Ndërkombëtare te Xhudos (IJF), ne Prishtine dhe Pejë i cili duke pare punën e madhe te bere nga trajneri Driton Kuka dhe talentin e madh te xhudistëve sidomos te Mjalinda Kelmendit, pas konsultimit me Sekretarin e tij, lidhur me Statutin ekzistues te IJF, na tha (Agronit, Dritonit dhe mua) se do te beje një zgjidhje për pjesëmarrjen e xhudistëve të Kosovës në gara ndërkombëtare dhe ashtu ndodhi. Të njëjtin vit, Majlinda, atëherë si juniore mori pjesë në Kampionatin Botëror të xhudos dhe e zuri vendin e parë”, tregon Hasani.
“Thuhet, si ishin pare lotët Marius Vizerit pas finales së Majlindës dhe kishte lejuar pa menduar gjate intonimin e Himnit te Kosovës, përkundër që xhudistët e Kosovës ishin lejuar të merrnin pjese në këtë kampionat dhe kampionatet tjera ne vijim si IJF, e jo si Kosovë”, vazhdon rrëfimin Besim Hasani.
Besim Hasani tregon momente nga pranimi i Federatës së Shigjetarisë së Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Shigjetarisë.
“Falë lobimit e mbase edhe Pavarësisë se Kosovës, Federata e Shigjetarisë e Kosovës u pranua nga Federata Ndërkombëtare e Shigjetarisë, President i FITA-s ishte Ugur Erdener nga Turqia. Bardhyl Luzhnicen, Agron Malen, Kryetarin dhe Sekretarin e FSHK dhe mua, si President te KOK, na larguan nga salla ku mbahej Asambleja e FITA-s kur u shqyrtua kërkesa e Federatës së Shigjetarisë dhe kur duhej të votohej për njohje. Unë isha gjakëtoftë, kisha pas përjetime të tilla, por kjo nuk vlente për Bardhylin e Agronin! Nuk vonoj shumë dhe na ftuan brenda për të na kumtuar lajmin se tashmë Federata e Shigjetarisë ishte njohur nga FITA dhe tani e tutje mund të merrte pjesë në votim”, rrëfen Hasani.
“Pas kësaj pasojnë njohjet tjera: njihet xhudoja, Lundrimi, Pentatlloni Modern, Boksi, Gjimnastika, Kerlingu, Tekvandoja, Skijimi dhe Mundja”, thotë ai.
Njëri prej sukseseve më të mëdhaja të Komitetit Olimpik i Kosovës ishte pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. KOK-u u pranua në IOC më 9 dhjetor të vitit 2014 pa asnjë votë kundër.
Hasani thotë se nuk ka ndodhur që një Komiteti Olimpik i një shteti të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar pa qenë i antarësuar në OKB, por këtë gjë e arriti Kosova.
“Më22 Tetor 2014, BE i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), njohu Komitetin Olimpik të Kosovës dhe vendosi aplikacionin tonë ta dërgojë ne sesionin e 127 te IOC për njohje me të drejta të plota. Njohja e KOK-ut me të drejta të plota ndodhi më 9 dhjetor 2014, pas asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim. Kjo njohje ndodhi pa qenë Kosova e anëtarësuar në OKB. Nuk kishte ndodhur të njihet asnjë Komitet Olimpik Kombëtarë i asnjë shteti të dalur nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe te Jugosllavisë para anëtarësimit ne Organizatën e Kombeve te Bashkuara. Kosova ia doli, pjesa tjetër është histori”, thotë Besim Hasani me shumë krenari.
Besim Hasani sa ka qenë në krye të KOK-ut nga viti 1996 deri në vitin 2021 tregon dallimin e mundësisë së zhvillimit të sportit në Kosovë para vitit 2008-të dhe pas vitit 2008.
“Nëse pyesni sportistët, trajnerët, administratorët dhe zyrtarët tjerë pse janë marr me sport apo pse janë angazhuar në zhvillimin e sportit, deri në njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, që hapi rrugën për njohjen e 25 federatave brenda 14 muajve dhe mundësoj pjesëmarrjen e sportisteve dhe atyre qe i përcjellin sportistët në Lojërat Olimpike, të gjithë do të përgjigjen se nuk e praktikonin sportin vetëm për të bërë sport. Prapa sportit fshiheshin ambiciet për ta ndihmuar pavarësimin e shtetit të Kosovës, e pas vitit 2008 edhe për ndërtimin e shtetit”, tregon Hasani i cili thotë se njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës e hapi rrugën e njohjëve të 25 federatave sportive brenda 14 muajve.
“Sot sportistët duan të ndërtojnë një shoqëri me kohezive, duan të ndërtojnë qytetarë më të shëndetshëm dhe më të përgatitor për jetë. Ata duan të ngrehin sa më lartë imazhin e shtetit të Kosovës. Ata flasin, bërtasin, piskasin, brohorisin dhe i lusin të rinjtë e Kosovës të qëndrojnë në Kosovë dhe së bashku, të pandarë, ta ndërtojnë shtetin e Pavarur të Kosovës, të nderojnë brezat e kaluar, të krenohen me heronjtë e dëshmorit dhe ata që kontribuuan në këtë liri qe po e gëzojmë”, thotë Besim Hasani i cili kërkon nga të rinjtë e Kosovës të qëndrojnë në Kosovë.
Besim Hasani rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Enigma se ka pasur tendenca që sporti të futej në bisedime me Serbinë, por drejtuesit e sportit nuk e kishin pranuar një gjë të tillë.
“Ka pas tendenca qe edhe sporti te futet ne bisedime me Serbinë, por drejtuesit e sportit dhe sportistët nuk kanë lëvizur për asnjë milimetër nga vizioni i tyre i qartë që të jenë të barabartë me të tjerët, pa bërë asnjë kompromis. Mbajtja e këtij kursi nuk ka qenë punë e lehtë. Megjithatë, ia dolëm”, zbulon Besim Hasani./GazetaEnigma/