Në qendrën për të moshuar “Orenda” ka pasur parregullsi, pakujdesi dhe kërcënime edhe para se të publikohej rasti i të moshuarës, ka thënë Viola Sahatçiu e cila në Facebook ka shkruar se ka punuar si menaxhere në këtë qendër.
Ajo ka shkruar se kjo qendër që nga fillimi “u hap për të gjitha arsyet përpos kujdesit ndaj të moshuarve”.
Sahatçiu pretendon se për shkak të parregullsive, kishte dhënë dorëheqje tre muaj pas marrjes së detyrës.
“Pa rregullsi, jo profesionalizëm, pakujdesi dhe kërcënime ndodhën në atë qendër sa isha unë menaxhere, arsye kjo pse japa dorëheqje pas 3 muajve”, ka thënë ajo.
Sipas saj, sjellja e infermieres ndaj të moshuarës është vetëm “një reflektim i vogël” i asaj që ndodhë në këtë qendër.
Ka theksuar se mbajtja e konferencës nga përfaqësues të “Orendas” është absurde, pasi shtoi se në qendër ka kamera.
“Ajo qendër është një ëndërr e bukur zvicerane me realitetin e hidhur shqiptar e cila duhet të mbyllet sa më parë”.