Ish – ministri i Energjisë: Kriza energjetike nuk do të jetë vetëm gjatë dimrit por edhe vitet e ardhshme

Ish – ministri i Energjisë: Kriza energjetike nuk do të jetë vetëm gjatë dimrit por edhe vitet e ardhshme

Kriza me energji elektrike ka nisur të ndjehet edhe në Kosovë që nga muaji gusht, pasi gjatë ditës së djeshme pati reduktime, por shpejtë u arrit një zgjidhje nga Qeveria e Kosovës të cilës i doli në ndihmë Shqipëria, raporton Gazeta Enigma.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT, ka sqaruar çështjen e reduktimeve me energji elektrike.

KOSTT ka bërë të ditur se si rrjedhojë e mos balancës në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar për mbulim të konsumit nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar imbalance/devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale, gjatë javëve dhe muajve të fundit.

Çmimi i lartë i energjisë në berzat ndërkombëtare ka bërë  që  Kosova të ndërpres importin e energjisë dhe të furnizohet  nga prodhimi vendor

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me ish-ministrin e Energjisë, Ethem Çekun, ku sipas tij zgjidhja e vetme e problemit në periudhë afat-shkurtër është investimi në termocentrale dhe aktivizimi i të gjitha blloqeve.

Çeku theksoi se situata do të jetë e vështirë gjatë dimrit.

“Situata do të jetë e vështirë edhe gjatë periudhës së dimrit, për arsye se nuk janë kryer rehabilitimet me kohë në termocentralin Kosova A, rehabilitimet që bëhen janë të përkohshme e jo të thella që nënkupton se blloqet e Kosovës A të prodhojnë energji të mjaftueshme. E vetmja mundësi është të kemi një zgjidhje duke i rehabilituar ato blloqe të Kosovës A duke pasur një sensibilizim të opinionit për kursimin e energjisë elektrike”, u shpreh Çeku.

Ish – ministri Çeku deklaroi se duhet të bëhen një seri veprimesh që reduktimet gjatë dimrit dhe viteve të ardhshme të jenë minimale.

“Kosova duhet të bëjë një seri veprimesh, që reduktimet gjatë dimrit të jenë minimale, përndryshe qytetarët dhe ekonomia e Kosovës do të përballen me vështirësi të mdhaja jo vetëm gjatë dimrit por edhe vitet e ardhshme, krejt kjo shkak i mosndërtimit të blloqeve të reja pasi ato të ndërtuara nga energjia solare janë të pamjaftueshme dhe nuk e mbulojnë konsumin e Kosovës”, përfundoi Çeku për “Enigmën”.

Kurse ekspertja e Ekonomisë, Yllnore Bytyqi Shala, tha se për tejkalimin e krizës energjetike duhet të bashkëpunojnë Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Për të tejkaluar situatën aktuale të krizës energjetike është që Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hartojnë një bazament të mirë të bashkëpunimit energjetike duke suportuar Kosova me thëngjill Maqedoninë ndërsa në anën tjetër Shqipëria të investojë në forma tjera të energjisë ripërtrishme”, tha Bytyqi – Shala.

Kurse pas deklaratës së fundit nga Ministria e Ekonomisë, se vjedhja e energjisë elektrike Kosovës po i kushton miliona euro, Bytyqi – Shala, tha se në këtë aspekt duhet të përdoret modeli gjerman.

 “Sa i përket vjedhjeve e vetmja zgjedhje është modeli gjerman që përdoret dhe balanci përcaktohet për koke banori ( anëtar familje ) në periudhën 6 mujor. Ndërsa duhet që distributor të kemi 2 e më shumë operator që konkurrenca do e përcakton çmimin dhe eficencen e saj që reflekton në stabilitet ekonomik për investim”, shton ajo.

Kriza energjetike, e cila kërcënon Evropën, e rrjedhimisht edhe Kosovën, është pasojë e çmimeve të larta dhe jostaabile të energjisë në bursat ndërkombëtare.

Ngritja e çmimeve, fillimisht nisi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ndërkaq hovin më të madh të ngritjes e mori pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.

Çmimi i lartë i energjisë në tregje ndërkombëtare ka shtyrë KEDS–in që më 9 gusht të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Vendimi nuk është marrë ende.

Një rritje e faturave të energjisë – për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 megavat – veçse është bërë në muajin shkurt të këtij viti.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles