Ish-ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, tha sot se Serbia në Kosovë ka një trashëgimi historike dhe qytetarë të kombësisë serbe që duhet t’i mbrojë, por që nga viti 1999 nuk ka pasur integritet dhe sovranitet territorial atje.
“Në vitin 1999 në Kumanovë ne praktikisht nënshkruam kapitullimin me të cilin humbëm integritetin dhe sovranitetin tonë territorial në Kosovë. Me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë, ne e humbëm atë”, tha, ish-kryetar i Partisë Demokratike (DS).
Siç raportojnë mediat serbe, a i ka deklaruar se Serbia në atë luftë ka humbur një pjesë të territorit të saj, e cila është bërë çmendurisht, dhe se prej atëherë nuk e ka kontrolluar. Ai ka vlerësuar se para asaj lufte është dashur të diskutohet se çfarë do të bëhet në rast të humbjes.
“Thuhet se nëse ne tani e nënshkruajmë marrëveshjen (propozimi franko-gjerman) që nuk kërkon njohjen e Kosovës së pavarur, do të humbasim sovranitetin tonë territorial. Dhe, ku është sovraniteti ynë territorial, nëse patriarku ynë (i Kishës Ortodokse Serbe) nuk mund të shkojë në Kosovë?”, pyeti Shutanovac, transmeton Telegrafi.
Ai vlerësoi se propozimi franko-gjerman duhet të plotësohet dhe të diskutohet për çështje thelbësore, siç janë statusi i kishave, manastireve dhe pasurive kulturore dhe historike serbe.
“Unë pres që në negociata të fitohet një status special për ta. Për mua është e rëndësishme se si të sillem ndaj pronës (në Kosovë) të shtetit të Serbisë, kompanive të caktuara dhe individëve privatë. Unë mendoj se duhet të negociohet një status special për të gjitha enklavat dhe serbët që nuk kanë mundësi të kenë një polici (nacionale) të përzier”, tha ai.
Shutanovac po ashtu ka thënë se “është e nevojshme të bindet pala kosovare, para së gjithash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të formojnë Asociacionin e komunave serbe, i cili nuk është ideal, por është më i miri që kemi”.
Duke komentuar incidentet e sotme në Kuvendin e Serbisë gjatë seancës për Kosovën, ku kishte përplasje fizike mes deputetëve, Shutanovac tha se kjo nuk duhet të ndodhë, sidomos kur tema janë negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Fatkeqësisht ka ndodhur. Më vjen keq që një temë kaq serioze nuk është marrë seriozisht nga të gjithë deputetët. Natyrisht, ka pasur një ide për të krijuar një kaos, dikush ka dashur të devijojë plotësisht temën dhe të mos flasë për atë që duhet të flitet”, tha Shutanovac.
Ai po ashtu ka vlerësuar se ka qenë gabim që partitë parlamentare nuk kanë pranuar të shkojnë në konsultime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse në seancën e sotme kanë mundur të debatojnë për propozimin për të cilin tani nuk dinë asgjë.