Edhe për 2 muaj i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ish policit të Kosovës, Dajan Pantiq, raporton Gazeta “Enigma”.
Këtë e ka bërë të ditur për “Enigmën”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo tha se Pantiq do të qëndrojë në arrest shtëpiak deri më 9 maj.
Pantiq dyshohet për veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje.
“Me datë 08.03.2023 Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së Arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e Arrestit shtëpiak i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, deri me datë 09.05.2023”, tha Gashi për Enigmën.
Kujtojmë se Dejan Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare në Jarinjë, në Veri të Kosovës. Arrestimi i tij bëri që serbët në veri të vendosin barrikada.
Më 12 dhjetor, atij iu caktua masa e paraburgimit dhe deri më 28 dhjetor ai qëndroi në objektin policor në Jarinjë, pa pasur mundësi që të dërgohet në qendër të paraburgimit.
Atij më pas, për shkaqe shëndetësore, iu ndryshua masa e sigurisë – nga paraburgim në arrest shtëpiak.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzojë të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale. Ai dyshohet se ka organizuar sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor. / Gazeta Enigma