Islanda rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Islanda rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Në ditën e tretë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim bilateral me kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir. Me këtë rast, kryeministrja Frostadóttir rikonfirmoi mbështetjen e Islandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përmes një njoftimi për medie, bëhet e ditur se kryeministri Kurti e uroi kryeministren Frostadóttir për detyrën e re dhe e falënderoi për mbështetjen e palëkundur të Islandës ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Evropës. Me këtë rast, kryeministrja Frostadóttir rikonfirmoi mbështetjen e Islandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Kurti tha se me progresin demokratik dhe me rritjen ekonomike në katër vjet e fundit, Kosova është shembull se zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.

“Gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe për zhvillimet në kontinentin e Evropës. Të dy palët përshëndetën nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë mes Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Islanda, duke e cilësuar atë si mundësi shumë të mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se Kosova nënshkroi ‘Marrëveshje të Tregtisë së Lirë’ me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) me 22 janar në Davos të Zvicrës. Kjo marrëveshje paraqet kapitull të ri të forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimeve me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin dhe mundësi të madhe për prodhuesit dhe kompanitë vendore.

Related Articles