Gjilani po bëhet gati për derbin e parë të sezonit përballë Dritës, por fillimi i sezonit për skuadrën e Ismet Munishit nuk ka qenë ai që është pritur.
Nga pesë ndeshje, gjilanasit kanë fituar një herë, kanë barazuar tre herë dhe në ndeshjen e fundit befasisht u mposhtën nga Ulpiana.
Këtë edicion, skuadra përbëhet nga shumë emra të rinjë, dhe trajneri i skuadrës Ismet Munishi për Albanian Post, thotë që për formën jo të mirë, “faktorët janë të ndryshëm”.
“Unë besoj se akoma nuk jemi në 100%-shin tonë si skuadër”, shprehet Munishi.
Rezultatet e dobëta normalisht luhatin pozitën e një trajneri, por për Munishin ky nuk është një shqetësim.
“Më shumë më shqetëson ecuria”, thotë trajneri i Gjilanit, “më vjen shumë keq nga tifozët”.
Në ndeshjen e fundit përballë Ulpianës, gjatë një penalltie të pritur nga Enea Koliçi, kishte një episod të dyshimt me sistemin VAR.
Por, për këtë Munish refuzon të komentojë.
“Nuk e komentoj referimin”, thotë ai.
“Mirëpo”, vazhdon Munishi, “ne si klub realisht kemi vuajtur në disa ndeshje”.
Punën e referimit, Munishi ja lë në dorë “organeve kompetente”.
Trajneri i Gjilanit, një figurë shumë e njohur tashmë në futbollin kosovar, këtë javë do të jetë në anën e skifterave për derbin e zjarrtë të Anamoravës përballë Dritës.
Ai thotë që përqëndrimi dhe përgatitja për këtë ndeshje janë “maksimale”.
“Shpresoj, por edhe besoj që do t’i gezojmë tifozët tonë, skifterat”.
Në derbi, Munishi ka qenë dy herë në stol, një herë për Dritën dhe një herë për Gjilanin. Të dy takimet kanë përfunduar në barazim 1-1.
Për fund, ai ka edhe një fjalë për homologun e tij në anën tjetër, trajnerin e Dritës, Ardian Nuhiu.
“Për Ardianin kam respekt”, thotë ai, “njihem që shumë kohë, dhe puna e tij me klub ka qenë shumë e mirë”.
Një fitore eventuale do ta afronte Gjilanin me kreun e tabelës, duke i dhënë atyre një motivim shtesë për vazhdimësinë e këtij sezoni.