Merita Hoxha-Maksuti ditë më parë ka treguar se i është pamundësuar takimi me vajzën e saj e cila është e shtrirë në një spital në Austri për shkak se është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, raporton Gazeta Enigma.
Përkundër që ajo ka thënë se i ka kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme, për të katërtën herë i është refuzuar viza.
Hoxha-Maksuti pas shkrimit të saj gjeti përkrahjen e qytetarëve të cilët të shumtë në numër kërkuan sqarim nga Ambasada Austriake në Shkup.
E kjo e fundit sot ka dalur me një njoftim në rrjetin e saj social Facebook.
Nga kjo ambasadë kanë thënë se kur vendoset për lëshimin e vizës merret parasysh qëllimi i qëndrimit të aplikantëve dhe rrethanat e tyre personale ekonomike dhe sociale.
“Në këtë proces vendimmarrjeje, dokumentet e paraqitura nga aplikantët si dhe informacioni dhe deklaratat e tyre përbëjnë bazën për vendimmarrje. Ambasada duhet të kontrollojë informacionin nga aplikacioni për plotësinë dhe korrektësinë. Nëse dokumentet mungojnë ose nëse informacioni thelbësor rezulton i pavërtetë, përgjegjësia për këtë nuk është e ambasadës”, thuhet në shkrimin e kësaj ambasade.
Kujtojmë që Hoxha Maksuti kishte thënë se pasi i është mohuar e drejta e kujdesit për fëmijën e saj të sëmurë ajo do të niset për Austri në mënyrë jo ligjore.