Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, theksoi se procesi i shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, raporton Gazeta Enigma.
“Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025,” ka deklaruar Elezi për Gazetën Enigma.
“Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë, si dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje,” ka shtuar ai.
Elezi ka bërë të ditur edhe datën e fillimit të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale.
“Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59,” ka theksuar ai.
Ky është një nga hapat përgatitorë drejt organizimit të zgjedhjeve të 12 tetorit, ndërsa KQZ ka deklaruar përkushtimin e saj për një proces të drejtë, të rregullt dhe transparent. / Gazeta Enigma.