Ka kaluar më shumë se një muaj prej kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 100 euro për punëtorët e sektorit privat, shkruan Gazeta “Enigma”.
Përveç sektorit privatë kryeministri Kurti ka deklaruar se Qeveria do ti ndaj nga 100 euro edhe për punëtorët e sektorit publik, pensionistët dhe studentët.
“Në prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, nga kjo do të përfitojnë të gjithë at që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, për aftësi të kufizuar, të veteranit etj. Për herë të parë do të mbështesim me 100 euro të gjithë punëtoret e sektorit privat pra rreth 300 mijë punonjës, e në kuadër të kësaj mbështetje për të punësuarit do të ndajmë 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë” ka deklaruar Kurti.
Mirëpo kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se vonesa e administrimit të këtyre mjeteve nuk është aspak e mirë, pasi që shihet se ka problem.
“Kemi hyrë në javën e 6 që kur Qeveria mori vendim për të stimuluar punonjësit me nga 100 euro. Punëtorët kanë pritur para Bajramit të dalin këto. Para dhjetë dite kemi kërkuar nga ministri Murati të dalë me shpjegim, por nuk ka dal. Prapë edhe dje i kemi bërë kërkesë, që të dalë e të tregojë ku është problemi, pasi po shihet se ka problem”, ka deklaruar Azemi.
Tutje ai ka shtuar se shumë punëtor të sektorit privat kanë hyrë në borxhe duke llogaritur se do t’i marrin këto para festës së Bajramit.
“Shumë punëtorë të sektorit privat në saje të 100 eurove kanë hyrë në borxhe për festën e Bajramit. Jemi në pozitë të palakmueshme”, është shprehur ai.
Azemi kërkon që personat që janë kompetent për këtë çështje të dalin dhe të japin llogari pse nuk janë administruar ende këto mjete.
“Nuk e kuptoj se si personi që duhet të japë llogari, nuk e bën këtë. Është shumë jo korrekte që për 6 javë të mbahen 30 milionë euro të punëtorëve të sektorit privat”, ka thënë ai.
Azemi ka hedhur dyshime në lidhje me shifrat e aplikuesve nga sektori privat.
“Jam i bindur se shifra nuk shkon mbi 250 mijë. Ata i kanë shifrat më të sakta, por s’besoj se janë 290 mijë që kanë aplikuar për këtë shumë”, ka përfunduar Azemi.
Ekonomistja, Yllnore Bytyqi – Shala në një prononcim për Gazetën “Enigma” ka thënë që tentativa për t’a ndihmuar sektorin privat dhe atë publik me 100 euro nuk ishte e mirë menduar.
“Nga këto ndryshime dhe inflacionit mund të themi se tentativa që sektorit privat por edhe ai publik t’i jepet një ndihmë me 100 euro nuk ishte e menduar mirë në aspektin operacional në bazë të kërkesës dhe ofertës në treg”, ka deklaruar ajo.
“Qeveria ka bërë një veprim amatorek në menaxhimin e krizës më të rënd ekonomike që ka kapluar Kosovën që nga viti 99 e tutje”.
“Ndërsa në anën tjetër nuk pritet që këtë shumë të marrin sektori private deri në fund të qershorit apo korrikut edhe me këtë kalkulimi ekonomik/financiar në aspektin e impaktit pozitivë për sektorin ekonomik nuk do të realizohet siç ka parashikuar qeveria me një veprim amatoresk në menaxhimin e krizës më të rënd ekonomike që ka kapur Kosovën që nga 99 e tutje”, ka deklaruar Bytyqi – Shala.
Tutje Bytyqi – Shala ka deklaruar se rritja e çmimeve ka ndikuar që Qeveria t’i merrte këto masa, por që nuk u bë në mënyrën e duhur.
“Rritja e çmimeve ka filluar që në periudhën e shtatorit të 2021-shit e në vijim. Fillimisht rritja e çmimeve erdhi si pasojë e një rritjeje të ndjeshme të kërkesave. Pas një periudhe pandemie dhe mbështetjes ekonomike që vende të ndryshme të botës dhanë shumë ndihma për biznesin dhe konsumatorët për të stimuluar kërkesën dhe ofertën, pati një rritje të ndjeshme të kërkesës dhe bum ekonomik në nivel global”, ka theksuar ajo.
Fillimi i luftës në Ukrainë i dha edhe një shtysë krizës ekonomike edhe në vendin tonë sipas ekonomistes Bytyqi – Shala.
“Faza e fundit, në vitin 2022, nga konflikti në Ukrainë dhe faktorët e sipërpërmendur çuan në një rritje të madhe të çmimeve në treg. Kjo ishte pjesa e faktorëve ekzogjenë. Kjo bëri që të rriteshin çmimet para se të plaste lufta në Ukrainë. Në momentin e dytë pastaj ishte aspekti spekulativ dhe lufta”, ka thënë ajo.
Çfarë nënkupton aspekti “spekulativ”?
“Të gjithë tregtarët, duke parë këtë rritje të ndjeshme të kërkesës dhe luhatjet e çmimeve në bursë, për të përfituar nga situata, filluan të indeksonin çmimet në mënyrë të vazhdueshme, edhe si pasojë e rritjes së kostove të transportit. Goditja finale ishte fillimi i luftës në Ukrainë, kriza që diskutohet që kjo luftë mund të vazhdojë për një kohë të gjatë apo mund të zgjerohet më tepër, bëri që një pjesë e lëndëve të para, si nafta apo energjia, patën një rritje të ndjeshme të çmimit, sepse Rusia dhe Ukraina janë dy vende që luajnë një rol shumë të rëndësishëm, sidomos në nivel evropian, për sa i përket gazit, naftës, drithërave”, ka deklaruar Bytyqi – Shala për Enigmën.
Tutje ajo ka theksuar se “Qeveria ishte deshtë që impakti kryesor të vendoset në politikën fiskale duke garantuar që për një periudhë të caktuar TVSH-ja të largohej dhe kështu të vendosej një stop në rritjen e çmimeve ku fuqia blerëse mbetet e njëjta”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, edhe një herë ka deklaruar se 100 eurot e ndara nga Qeveria janë lëmoshë.
Ai në një përgjigje për “Enigmën” ka deklaruar se krizat ekonomike dhe energjetike nuk mund të tejkalohen me 100 euro.
“E kam deklaruar se 100 euro të ndara nga Qeveria janë lëmoshë dhe kriza ekonomike dhe energjetike nuk mund të tejkalohen me një 100 euro kur qytetarët duhet të përballen çdo ditë me rritje të çmimeve”, ka thënë Haxhiu.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 12 prill të këtij viti kishte marrë vendimin për ndarjen e 100 eurove për sektorin privat, publik dhe pensionistët. /Gazeta Enigma/