Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili uroi që të ndryshohen drejtuesit e sindikatave.
Pas reagimit të Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i cili ka bërë të ditur se do të kontaktojë me përfaqësues ambasadave të huaja dhe të shteteve të QUINT-it në Kosovë në lidhje me deklaratat e Kurtit, ka ardhur edhe reagimi i Jasharajt.
Ai tha se të hënën bashkë me stafin do të përgatitin një shkresë për ta njoftuar unionin e sindikatave të Evropës lidhur me këtë deklaratë të Kurtit, nga të cilët edhe pret reagim drejt kryeministrit.
“Kjo është deklarata e parë në gjithë vitet e pasluftës kur kreu i shtetit jep deklarata të tilla lidhur me sindikatat. Po them nuk është as çështje as detyrë e kryeministrit e as e ministrave as institucioneve se kush do ti udhëheq sindikatat në Kosovë dhe për këtë gjë të vetmit pyeten anëtarësia”, ka thënë Jasharaj për Indeksonline.
“Për SBASHK-un pyetet anëtarësia sepse çdo katër vite mbahet kongresi pas zgjedhjeve që bëhen duke filluar nga shoqata, pra nga shkollat, çerdhet, pastaj universitetet edhe nga sektori i kulturës që është pjesë e jona. Pasi të kryhen këto zgjedhje vjen radha e kongresit që mbahet çdo katër vite ku vijnë delegatët që përfaqësojnë gjithë punëtorët në arsim dhe ata me votën e tyre të lirë por të fshehtë në një garë mes dy ose më shumë kandidatëve ia japin besimit atij që mendojnë se është më i miri për të udhëhequr dhe ai që zgjedhet në këtë rast unë që jam tani, varet se a do të zgjedhem mandatin e ardhshëm, dhe po them është një vullnet i shumicës që duke i mbajtur mbledhjet e brendshme, shumica e komunave deri tash, pjesmarrësit në kuvende janë deklaruar se vullneti i tyre është që unë të jem edhe për një mandat, njëri prej kandidateve”, është shprehur tutje ai.
Është një deklaratë që nuk është dashur të ndodhë ngase Kurti është kryeministër dhe nuk është çështje e tij se kush do ti udhëheq sindikatat. Nëse atij nuk i pëlqen cilido nga kryetarët, është çështje e tij personale por ai ka obligim të takohet me këta njerëz sepse i ka zgjedh anëtarësia dhe vetëm atyre i përgjigjen.
Më mirë mos të na dojë Qeveria por të na dojë anëtarësia e cila na ka zgjedhur. Unë do jem në krye të SBASHK-ut deri atëherë kur këtë vullnet e ka anëtarësia dhe kur ata më besojnë mua. Ata vendosin për mua, unë e ruaj besimin e krijuar. Jam nga njerëzit më krenar në Kosovë sepse jam kryetar i një sindikate që ka numër të madh, që është unike, e vetmja e këtij lloji në Kosovë.
Nesër me stafin do të përgatisim dy shkresa për ta njoftuar unionin e sindikateve të Evropës duke ia dërguar një original, deklaratën e kryeministrit për ti njoftuar ata dhe ata me siguri do të reagojnë, për ti treguar se nuk është detyrë e tij se a duhet hequr udhëheqi momental. Ai duhet të ketë kujdes, ta lëjë në vullnetin e anëtarësisë këtë gjë, jo të deklarohet ai”, përfundon Jasharaj.
/Gazeta Enigma/