Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk do të ketë greva me nisjen e vitit të ri shkollor.
Sipas tij, ky mund të mos jetë lajm i mirë për Kurtin e Nagavcin. Jasharaj ka thënë se nëse do të kishte kërcënime me greva, do të harrohej skandali i vajit e grurit.
“Greva nuk do të ketë në këtë fillim të vitit shkollor dhe ky është lajm i keq për Kurtin e për Nagavcin. Po të kërcënonim ne me greva ata do të kënaqeshin sepse do të harrohej vaji, gruri , milionat për energjinë ne veri, çerdhet e pa nisura ,po edhe lojërat e këqija të Hekuranit për ndryshimet në Ligjin për skemat pesinonale”.
“Madje, do të harroheshin edhe deklaratat e një mërgimtari që në vitet 90-ta nuk ishte në flakë e grushte këtu dhe tani kërkon ë të ribotohet libri i shenjtë e të hiqet emri i pejgamberit të fundit e të zëvendësohet me emrin e mbiemrin e Albin Kurtit, këtij që kurrë asgjë nuk bëri mirë për arsimin, lirinë e për atdheun e njerëzit në këtë nënqiell. Një tjetër qytetar u mundua të zëvendësoj Zhujë Selamin në këngën e tij që këndohet nëpër dekada me Albinin”, ka thënë Jasharaj në një reagim për media.
“Punëtorët e arsimit po presin që zonja Nagavci të kryej seancat gjyqësore bashkë me ministrin Murati pa presionin se do të ketë greva. Po presim, që pas gjithë proceseve gjyqësore Ministrja, që po i ikin zëvendësministrat t’i kthehet një ditë problemeve në arsim”.
“Po presim që Kryeministri pasi të kryej obligimet atdhetare në Greqi e Maqedoninë e Veriut të kthehet në problemet e popullit të tij. Po presim që hoxhallarët e priftërinjtë t’ia heqin me hajmali frikën se sindikatat me opozitën e mediet po punojnë për të hequr nga kolltuku”.
“Po presim deri kur të kthehen deputetët nga pushimi e diaspora në Evropë se veprimet sindikale bëhen ku ka shtet dhe demokraci, por edhe kur individi kthehet në mit dhe cenon vazhdimisht lirinë e njerëzve . Të bëjmë greva kemi një mijë e një arsye, por s’kemi kujt t’i bëjmë”, ka shkruar ai.