Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka thënë se ekziston mundësia që edhe serbët në jug të Kosovës të largohen nga institucionet, duke thënë se kryeministri Albin Kurti po i interpreton ligjet në atë mënyrë që i përshtatet atij, dhe se në Kosovë ligjet në fuqi që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit serb dhe të komuniteteve tjera joshumicë nuk respektohen.
Jevtiqi tha për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se situata në Kosovë, që nga ardhja e Kurtit në pushtet, po vështirësohet çdo ditë e më shumë për sa i përket jetës dhe pozitës së serbëve, dhe shtoi se “gjithçka që ka ndodhur së fundmi është dëshmi se komuniteti ndërkombëtar nuk po e bën punën e tij ashtu siç duhet”, që synim ka para së gjithash për të qetësuar tensionet dhe për të kapërcyer të gjithë situatën, transmeton Klankosova.tv.
Ai deklaroi se në Kosovë mbi të gjitha ka “dhunë institucionale në të gjitha nivelet” dhe se serbët “janë viktima të asaj që Kurti synon përfundimisht, “që është ta vendosë popullin serb” në territorin e Kosovës “në pozicion sa më të vështirë” dhe “duke i detyruar kështu të largohen nga ajo zonë”.
“Vendimi për largim nga institucionet e kolegëve tanë nga veriu i Kosovës dhe Metohisë është marrë në kohën kur nuk kishim më rrugëdalje nga të gjitha presionet që i pësuam jo vetëm ne, por edhe shteti i Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, dhe në këtë kuptim ishte mesazh i qartë se diçka duhet të ndryshojë në atë raport dhe në të gjithë situatën që po ndodh në Kosovë dhe Metohi”, tha Jevtiqi.
Kreu i Komunës së Shtërpcës tha se edhe atëherë e ka bërë shumë të qartë se serbët në pjesën tjetër të Kosovës, jashtë pjesës veriore, nëse nuk ndryshon asgjë, do të ndjekin të njëjtën rrugë sepse, siç theksoi, “nuk ka kuptim të jemi në institucione përderisa brenda tyre nuk mund të sigurojmë realizimin e të drejtave themelore të njeriut të jetës në Kosovë”.
Jevtiqi theksoi se “gjëja më problematike është se ligjet aktuale në Kosovë”, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit serb dhe të komuniteteve tjera joshumicë, “nuk respektohen”.
“Aty ligjet trajtohen si ‘tryezë suedeze’. Kurti i trajton ato në atë mënyrë që merr vetëm atë që i pëlqen, injoron gjithçka që ka të bëjë me të drejtat e serbëve, dhe nga ana tjetër ai i interpreton ligjet në atë mënyrë që i përshtatet, në mënyrë diktatoriale”, tha Jevtiqi.
I pyetur se cilat janë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për qëndrimin e serbëve për largim nga institucionet e Kosovës, Jevtiqi tha:
“Sa për ne në jug të Ibrit, mendoj se jemi afër atyre vijave të kuqe. Vendimi i fundit, injorimi i plotë i së drejtës kushtetuese që garanton përfaqësimin e serbëve në institucionet e nivelit qendror të qeverisë, është diçka që na ka vënë në një pozitë ku nuk jemi shumë larg vendimit që ne, në jug të Ibër, të largohemi nga institucionet e Kosovës”.
Jevtiqi tha se serbët janë të zhgënjyer për shkak të heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare për gjithçka që po bën Kurti.
“Heshtja është shenjë miratimi dhe në një situatë të tillë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të largohemi nga institucionet dhe të mos jemi pjesë e asaj që po bën Kurti”, tha Jevtiqi dhe shtoi se vendimin përfundimtar për largimin nga institucionet e Kosovës do ta marrin duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, faktet dhe pyetjen kryesore që ua ka bërë presidenti i Serbisë – “E çfarë do të bëni të nesërmen?”.