Juniku drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Asamble të Komunës, Kryesuesi u zgjodh me një ditë vonesë

Juniku drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Asamble të Komunës, Kryesuesi u zgjodh me një ditë vonesë

Kuvendi Komunal i Junikut ka gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këshilltar lokal.

MAPL me ligjin për Vetëqeverisjen Lokale obligohet ta njoftojë Qeverinë kur Komunat dështojnë ta zgjedhin Kryesuesin e Kuvendit të tyre brenda 30 ditësh nga themelimi.

Kuvendi i Junikut e kreu këtë votim në ditën e 31-të.

Me ligj, Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin lokal, që shkaku i shkeljes së afatit të përcaktuar me ligj konsiderohet jofunksional, raporton Reporteri.

Ruzhdi Shehu më 12 dhjetor 2025 dha betimin për mandatin e dytë në krye të Junikut. Pos tij, në të njëjtën seancë u betuan edhe 15 asamblistët e Kuvendit Komunal, të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025, duke themeluar kështu legjislaturën e re lokale në komunën e vogël të rajonit të Dukagjinit.

Për dallim nga Shehu që me betimin para Kuvendit Komunal nisi funksionalizimin e mandatit të ri në krye të qytezës, përfaqësuesit e zgjedhur të asamblesë së Junikut kishin për obligim ta kryenin edhe një detyrë: Zgjedhjen e kryesuesit të tyre. Brenda afatit të caktuar. Në rastin e kundërt u rrezikohet mandati të 15-ve.

Related Articles