Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka quajtur “të degraduar” qeverinë që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Haziri përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, është shprehur se kjo qeveri ka ardhur në pushtet me metoda të dhunshme, për rë degraduar çdo pore të jetës.
“Sot në institucionet e Republikës valon akoma ‘flamuri lara-lara’, e harruan bashkimin kombëtar, madje i degraduan raportet me Shqipërinë deri në atë shkallë sa të mos ketë as komunikim ndërnjerëzor, përderisa, si asnjëherë më parë, i përçanë shqiptarët e Kosovës Lindore dhe ata të Maqedonisë së Veriut” ka shkruar Haziri.
Ai shtoi se kryeministri Kurti ka bërë mashtrimin më të madh duke thënë se nuk e vazhdon dialogun me Serbinë, për t’u buzëqeshur me Vuçiqi në takime.
Përmes këtij postimi ai ka përmendur edhe ngecjet në qeverisjet lokale, sidomos në zonën e Anamoravës, atje edhe ku qeverisi vet me Gjilanin, në të kaluarën.
“Deri më 9 shkurt për nivel qendror dhe deri në tetor të vitit 2025 do t’u numërohen ditët prapa, por edhe dështimet një nga një” shtoi Haziri.
Tutje ai ka theksuar se “LDK do të rikthehet fuqishëm pas 9 shkurtit”.