Asociacioni i Komunave serbe është pjesë e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe me pranimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të hënën, themelimi i Asociacionit pranohet automatikisht, tha për N1 një zyrtar i lartë i BE-së, i cili dëshiroi të mbetet anonim.
Po ashtu, ai ka thënë se pranimi i atij propozimi do të thotë njohje de facto e Kosovës.
Në Bruksel thonë se nga të dyja palët, si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina, ka sinjale të forta se propozimi i BE-së do të pranohet, si në deklarata publike ashtu edhe në biseda të drejtpërdrejta me zyrtarë të BE-së. Prandaj pritet që të hënën të pranohet zyrtarisht propozimi.
Siç tha ky zyrtar i lartë i BE-së, nuk do të diskutohet për përmbajtjen e propozimit, por vetëm për zbatimin e tij, i cili është përcaktuar në një aneks të veçantë.
Ai shtoi se është një marrëveshje bazë, e cila është aq gjithëpërfshirëse sa e afron atë me të ashtuquajturën “marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”.
Pranimi i propozimit evropian është i rëndësishëm sepse do të çojë në një ndryshim në të gjithë disponimin në rajon, do të çojë në projekte dhe investime të reja, do të rrisë ndihmën financiare dhe do të çojë në siguri dhe parashikueshmëri më të madhe, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i BE-së.
Kujtojmë se të hënën në Bruksel do të mbahet një takim i nivelit më të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.