Gazetari Vehbi Kajtazi e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që e ka përkujtuar ish-kryeministrin e vrarë serb, Zoran Gjingjiq, teksa ka thënë që heronjtë e Kosovës i ka harruar.
“I vetmi politikan deri tash që nuk ka pasur qasje shoveniste ndaj shqiptarëve, ndaj Kosovës është Cedomir Jovanoviq. Nuk ka asnjë tjetër, asnjë të vetëm përfshirë zotëri Gjingjiqin”, ka thënë Kajtazi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Zotëri Kurti më 2009-tën, në një shkrim autorial, e përshkruan të tillë zotëri Gjingjiqin. Madje thotë që ai e ka pasur synim ndarjen dhe bosnjëzimin e Kosovës. Madje e konsideron tepër të rrezikshëm për shkak të kësja qasjes që e ka pro perëndimore në raport me Kosovën. Madje thotë në këtë shkrim, ai nuk u vra sepse ishte demokrat porse serbëve u dukej pragmatik. Prandaj e vranë. Dhe kush e vranë? E vrau mafia serbe.”.
Kajtazi tha se Kurti i ka harruar heronjtë e Kosovës, duke përmendur këtu Luan dhe Shkëlqen Haradinajn.
“Për sa i përket kryeministrit që po thotë e kam përkujtu, le ta përkujtojë, por duhet me ia rikujtu kryeministrit që të gjithë heronjtë e Kosovës i ka harruar. Nuk i kujton më. Nuk e ka kujtuar Shkëlzen Haradinajn. Nuk e ka kujtu Luan Haradinajn”.
“Nuk ka qenë në gjendje asnjë telegram ngushëllimi me ia çu familjes Haradinaj”.