Ky është personi që u arrestua për mashtrim me tender 155 mijë eurosh në Gjilan

Ky është personi që u arrestua për mashtrim me tender 155 mijë eurosh në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar për 48 orë një person si të dyshuar për mashtrim dhe keqpërdorim të një tenderi që e fitoi në Komunën e Gjilanit.

Gazeta Insajderi merr vesh se personi i arrestuar është Avni Koci pronar i kompanisë “ARF Sh.P.K” i cili me një dokument të falsifikuar kishte arritur të fitonte një tender në vlerë 155 mijë euro për ‘furnizim me material zyrtar’.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë.

Policia ka dhënë detaje pasi Prokuoria Themelore në Gjilan bëri të ditur se një person është ndaluar i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Kësisoj, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjilan, kanë kryer veprime hetimore/operative për disa muaj dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi se i dyshuari me iniciale A.K., me rastin e ofertimit në tenderin ’’Furnizim me material për zyre’’ në Komunën e Gjilanit, kishte falsifikuar dhe dorëzuar referencën të lëshuar më herët në vitin 2021.

Sipas njoftimit, me këto referenca ai kishte implikuar Ministrinë e Forcës së Sigurisë kinse kishte lëshuar ketë referencë për kompaninë e tij.

Policia u shpreh se me këto referenca i dyshuari kishte aplikuar në Komunën e Gjilanit në tenderin e lartshënuar duke fituar dhe firmosur kontratën me komunën e Gjilanit në vlerën e 155 mijë eurove.

“Me këto veprime i dyshuari, dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Keqpërdorimi dhe
mashtrimi në Prokurimin publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve””, thuhet në njoftimin e PK-së.

“Andaj, sot më datë 13.03.2023, i dyshuari i lartcekur me iniciale është intervistuar në prezencë të avokatit të tij dhe pas intervistimit ndaj të dyshuarit nga Prokurori i shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

Related Articles