Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se sot i është drejtuar me një letër emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se pret që edhe Lugina e Preshevës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, një letër me përmbajtje të njëjtë, do t’ia përcjellë dhe Josep Borellit, përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si dhe Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Kamberi po kërkon nga ndërkombëtarët përfshirjen e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës në takimet e radhës të dialogut për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai në letrën që e ka publikuar në Facebook e falënderon Escobarin për përpjekjet e tij që të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.
Kamberi shprehet se përmes inkuadrimit të përfaqësuesve shqiptar të Luginës së Preshevës në dialog, do të adresohej situata e këtij komuniteti.
“Ju lutem më lejoni shkurtimisht të paraqes gjendjen e komunitetit shqiptar në Preshevë, e cila mbetet e vështirë përkundër zotimeve të Qeverisë së Serbisë për të punuar drejt një të ardhmeje të begatë dhe garancive të ofruara për komunitetin shqiptar nga bashkësia ndërkombëtare pas konfliktit të armatosur të 2001”, thuhet në letrën e Kamberit.
“Kur u nënshkrua marrëveshja e paqes, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u bënë të besonin se dialogu dhe reformat e vërteta politike do të përmirësonin ndjeshëm gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve dhe do të angazhoheshin në negociata me autoritetet e Beogradit në mirëbesim.Vonesat e përsëritura në përmbushjen e këtyre zotimeve çuan në dy marrëveshje shtesë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve (2009 dhe 2013), të cilat, për fat të keq, mbeten kryesisht të pazbatuara nga autoritetet e Beogradit”, vijon letra.
Kamberi ndër të tjera i tregon diplomatit amerikan se komuniteti shqiptar në Serbi mbetet më i diskriminuari në këtë vend.
“Ndërsa e shkruaj këtë letër 22 vjet pas konfliktit, komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet minoriteti më i diskriminuar në Republikën e Serbisë. Nuk është marrë asnjë masë për t’i dhënë fund diskriminimit ekonomik ndaj shqiptarëve, për të adresuar përfaqësimin shumë të ulët të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet e kontrolluara nga qeveria dhe për të zvogëluar praninë e forcave ushtarake në rajon. Që nga viti 2008, qëndrimi armiqësor i Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës ndikoi negativisht tek shqiptarët në Preshevë pasi Serbia refuzon të njohë diplomat universitare nga universitetet e Kosovës duke skualifikuar kështu 15 breza shqiptarësh me diploma të Kosovës nga punësimi në institucionet shtetërore”.
Sipas Kamberit, shqiptarëve në Luginën e Preshevës aktualisht u mohohet e drejta e përdorimit të simboleve dhe flamurit kombëtar, element kyç i identitetit kombëtar shqiptar.
“Militarizimi përdoret vazhdimisht si një strategji frikësuese ndaj komunitetit vendas shqiptarë. Për të reduktuar sa më shumë numrin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, autoritetet serbe po bëjnë të ashtuquajturin pasivizim të adresave të banimit që u përkasin shqiptarëve, praktikë të cilën Komiteti i Helsinkit i Serbisë e ka quajtur si “një formë e spastrimit etnik përmes mjete administrative””.
Gjithashtu, Kamberi e ka ftuar Escobarin dhe homologët e tij nga kontinenti evropian që ta bëjë një vizitë në komunat shqiptare në Serbi, shkruan Paparaci.
“Për t’ju informuar më hollësisht për gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, ju bëj ftesën time juve dhe homologëve tuaj evropianë që të bëni një vizitë në komunat shqiptare në Serbi për t’u takuar me përfaqësuesit shqiptarë dhe liderët e komunitetit për të diskutuar shqetësimet e tyre. Ne mbetemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kolegët tuaj në organizimin e një vizite të frytshme eksploruese në Luginën e Preshevës para raundit të ardhshëm të takimeve të dialogut të udhëhequr nga BE-ja”.
Krejt në fund, Kamberi siguron Escobarin se “përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës mbeten plotësisht të përkushtuar për të mbështetur përpjekjet tuaja për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në respektin dhe reciprocitetin reciprok”.