Shaip Kamberi është rizgjedhur deputet në Kuvendin e Serbisë.
Kjo vetëm pas përsëritjes së zgjedhjeve në një shkollë në Tërnovc të Bujanocit.
Kamberi pas fitorës tha se përkundër politikës dhe veprimeve penguese të pushtetit serb, shqiptarët nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.
Ai tha se kjo falë vullnetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës e përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale.
“Përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë. Por me punë dhe unitet do t’ia dalim. Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve. Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar. Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon”, deklaroi Kamberi.
Gjatë ditës së enjte, në Tërnovc u mbajtën zgjedhjet për herë të pestë pasi për shkak të parregullsive u urdhërua përsëritja.