Më shumë se njëzet kamera të sigurisë, pronari i të cilave nuk dihet, janë të vendosura nëpër hapësira publike në Ranillug dhe Partesh – komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën lindore të Kosovës. Prokuroria e Shtetit ka nisur të mbledhë informacione nën dyshimet se po bëhet vëzhgim ilegal.
Një urë me anësore trengjyrëshe, që kalon nëpër një zonë të gjelbëruar, shënon hyrjen në Komunën e Ranillugut, rreth 70 kilometra larg Prishtinës.
Sapo të kalohet ura, si për të përshëndetur personat që hyjnë në këtë qytezë të banuar në shumicë nga serbët, qëndron një kamerë sigurie në një shtyllë elektrike.
Kamera, pa ndonjë markë të dukshme, por me dizajn të njëjtë, janë të vendosura nëpër disa rrugë të Ranillugut dhe fshatrave përreth.
Se kush është pronari i kamerave, kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon ato, nuk dihet.
Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, vëzhgimi i hapësirave publike me kamera mund të bëhet vetëm për nevoja të Policisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë, gjatë javës së parë të tetorit, ka parë kamera të tilla të vendosura kryesisht nëpër rrugë publike, por që kapin edhe shtëpi private.
Disa qytetarë të kësaj zone, që nuk deshën të flasin publikisht, u shprehën jo të shqetësuar nga prania e këtyre kamerave. Ata thanë se nuk kanë ide se kush i kontrollon ato.
Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë e ka inspektuar këtë komunë më 18 qershor.
Sipas raportit, vetë Komuna e Ranillugut i ka thënë agjencisë se nuk e di se kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon kamerat e sigurisë në rrugë publike.
Zyrtarët komunalë kanë thënë se komuna ka të vendosura kamera që kontrollohen nga zyrtarët përgjegjës vetëm përreth ndërtesës së saj.
Komuna, po ashtu, i ka thënë agjencisë se ka pasur raste kur i është dashur qasja në xhirimet që merren nga kamerat e vendosura nëpër rrugë, por se nuk ka ditur ku t’i kërkojë.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në të gjithë territorin e Ranillugut dhe katër fshatrave të kësaj komune janë të vendosura 19 kamera, të cilat nuk dihet se kush i mbikëqyr.
Për këtë situatë, Agjencia për Informim dhe Privatësi i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit më 31 gusht.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka konfirmuar se ka kërkuar nga të gjitha prokuroritë themelore që t’i verifikojnë informatat e pranuara lidhur me këtë çështje.
“Jemi në pritje të rezultateve të këtij verifikimi”, thuhet në deklaratë.
Prokuroria e Gjilanit, që ka në juridiksion edhe zonën e Ranillugut, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk i është përgjigjur interesimit të REL-it se çfarë është bërë në drejtim të hetimit të kësaj çështjeje.
Askush nuk flet për kamerat në Partesh
Rreth 40 minuta larg Ranillugut, në Partesh, bien gjithashtu në sy kamera me ngjyrë të bardhë e në formë ovale – në dukje të njëjta si ato në Ranillug.
As Policia e Kosovës e as Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk kanë të dhëna për numrin e saktë të kamerave të tilla të vendosura në këtë komunë.
Radio Evropa e Lirë ka hasur në të paktën pesë të tilla në Partesh dhe në dy fshatrat përreth, përkatësisht Pasjan dhe Budrikë e Ulët.
Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, që po ashtu ka inspektuar zonën e Komunës së Parteshit, zyrtarët e kësaj komune nuk kanë treguar bashkëpunim në dhënien e informacioneve lidhur me këto kamera.
Kjo komunë nuk u është përgjigjur as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me atë se kush i kontrollon ato.
Agjencia për Informim dhe Privatësi i është drejtuar, po ashtu, Prokurorisë së Shtetit për këto kamera.
Nga kush kontrollohen kamerat në komunat e tjera në Kosovë?
Gjatë gjithë këtij viti, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka zhvilluar kontrolle nëpër komunat e Kosovës për të parë nëse vëzhgimet me kamera në hapësirat publike po bëhen sipas ligjit.
Deri më tani, sipas saj, janë inspektuar 13 komuna, përfshirë: Prishtinën, Graçanicën, Pejën, Gjilanin, Ranillugun, Parteshin, Gjakovën, Fushë Kosovën, Prizrenin, Shtërpcën, Ferizajn, Lipjanin dhe Shtimen.
Sipas disa raporteve publike nga këto inspektime, është gjetur se në disa komuna vëzhgimi është bërë nga vetë ato, që edhe kanë instaluar sistemin e kamerave, në vend se atë ta bëjë policia, siç kërkon ligji.
Në mesin e komunave që kanë vepruar kështu, janë: Gjakova, Prishtina, Graçanica dhe Peja.
Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka urdhëruar ato që ta asgjësojnë materialin e grumbulluar deri në atë kohë dhe kontrolli me kamera të vazhdojë të bëhet vetëm nga policia.
Në komunat si: Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Suharekë, Dragash, Mamushë dhe Kamenicë, sipas raportit zyrtar nga Policia e Kosovës, mbikëqyrja e hapësirave publike me kamera bëhet vetëm nga Policia e Kosovës.
Sipas planit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, inspektimi i komunave të tjera në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të bëhet deri në fund të këtij viti.
Kamerat e sigurisë në një komunë tjetër me shumicë serbe, në Shtërpcë, kanë qenë cak i një operacioni të Policisë së Kosovës më 7 korrik. Ato janë sekuestruar nga policia, pasi dyshohet se kanë qenë të vendosura nga struktura ilegale serbe.
Ky aksion, megjithatë, nuk është ndërlidhur me inspektimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Kamerat misterioze edhe në veri të vendit
Në korrik të këtij viti, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se kamera të sigurisë, që nuk dihet se kush i kontrollon, vëzhgojnë edhe hapësirat publike në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Kamerat e tilla janë të vendosura në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.LEXONI EDHE KËTË:Misteri i kamerave të sigurisë në komunat me shumicë serbe
Këto komuna nuk janë inspektuar ende nga Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në komunat veriore, Policia e Kosovës ka instaluar kamera vëzhguese vetëm në stacionet policore.
“Të gjitha kamerat e tjera vëzhguese nuk janë nën juridiksionin e Policisë së Kosovës dhe nuk ka mbikëqyrje zyrtare mbi to”, kanë thënë asokohe nga policia.
Komunat në veri të Kosovës, që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës, por kanë edhe prani të organeve paralele që financohen nga buxheti i Serbisë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it se kush e ka instaluar video-vëzhgimin në komunat në veri të Kosovës dhe kush i kontrollon ato kamera.